Shitja e Alpha Bank, mbyllet faza e shprehjes së interesit: Ja bankat dhe kompanitë në garë

Mesi i muajit korrik ishte afati i shprehjes së interesit dhe paraqitjes së ofertave indikative nga subjektet e interesuara për blerjen e Alpha Bank-Shqipëri.

Sipas burimeve nga tregu, tashmë janë përvijuar subjektet kryesore të interesuara për blerjen e filialit shqiptar të bankës së fundit greke.

Mes aktorëve që kanë paraqitur zyrtarisht interesin dhe një ofertë indikative në fundin e javës së shkuar janë hungarezët e OTP, bullgarët e Bankës së Parë të Investimeve (Fibank), sllovenët e Nova Ljubjanska Banka (NLB) dhe dy bankat shqiptare Tirana Bank dhe Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank). Një tjetër i interesuar është edhe grupi më i madh në vend “Kastrati”.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të njëjtave burime, perceptimi mes subjekteve në garë është se OTP mund të jetë favorite në këtë proces, për shkak të disponibilitetit të madh për të investuar dhe strategjisë agresive të zgjerimit në rajon që kanë ndërmarrë vitet e fundit.

Veç konkurrentëve të mësipërm, ekziston edhe një skenar surprizues: Alpha Bank mund të ngelet përsëri greke, për shkak të presionit politik që ekziston për mosdaljen e plotë të kapitalit grek nga tregu bankar shqiptar. Sipas burimeve, Alpha Bank Albania mund të blihet nga vetë qeveria greke, përmes një institucioni apo fondi financiar të kontrolluar prej saj. Në këtë kuptim, një alternativë mund të jetë që Alpha të blihet prej bankës së kontrolluar nga shteti grek, Banka Kombëtare e Greqisë (NBG Bank). Aksioneri më i madh i NBG është fondi publik që u ngrit në vitin 2010 për shpëtimin e bankave greke (Hellenic Financial Stability Fund), që zotëron 40.39% të aksioneve të bankës. Kthimi i NBG në Shqipëri do të ishte një zhvillim tejet i papritur, tre vjet pasi banka greke shiti filialin e saj shqiptar te ABI Bank.

Procesi i shitjes së Alpha Bank për momentin ndodhet në një fazë të hershme dhe tashmë është mbyllur vetëm faza e parë e manifestimit të interesit dhe e paraqitjes së ofertave indikative. Ofertat detyruese (binding) do të paraqiten vetëm në një fazë të dytë, pasi ofertuesit e interesuar të kryejnë procesin e due diligence (analizën financiare dhe ligjore të kompanisë në shitje). Paraqitja e ofertave përfundimtare pritet të bëhet në vjeshtë, mes fundit të shtatorit dhe tetorit.

Shitja e Alpha Bank ka zgjuar një interes të madh mes blerësve potencialë dhe sidomos mes bankave ekzistuese në treg. Ndër bankat greke të pranishme në Shqipëri, Alpha Bank është perceptuar përgjithësisht si banka më e shëndetshme dhe më e mirëmenaxhuar, megjithëse gjatë viteve të krizës ka akumuluar humbje të konsiderueshme.

Shitja e saj vlerësohet si një mundësi e mirë për t’u faktorizuar më tej në treg nga bankat që përfituan nga hapësirat që krijoi kriza për t’u rritur në tregun shqiptar. Për shkak të perceptimit pozitiv, por edhe konkurrencës së madhe në garë, ekspertët e tregut mendojnë se Alpha Bank do të shitet me një çmim për aksion më të mirë se shumica e bankave të shitura në perudhën 2015-2018.

Në fund të marsit 2021, Alpha Bank – Shqipëri zotëronte 4.9% të tregut bankar shqiptar, me një total aktivesh prej rreth 79 miliardë lekësh. Vitin e kaluar, Alpha Bank – Shqipëri arriti një fitim prej 218 milionë lekësh dhe një kthim nga kapitali në nivelin 6.34%. Fitimi i vitit 2020 i ka ulur disi humbjet e akumuluara të bankës pranë nivelit të 3.1 miliardë lekëve. Sipas të dhënave më të fundit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, kapitali aksioner neto i Alpha Bank në fund të marsit 2021 ishte rreth 9.1 miliardë lekë./monitor.al/