Bordi i Ujësjellësit e shpërbleu veten jashtëligjshëm me nga 300 euro për fundvit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “KRU Prishtina” shpërbleu me 1 mijë e 200 euro mjete shtesë bordin e drejtorëve të ndërmarrjes, edhe pse një veprim i tillë është në kundërshtim me ligj.

Zyra Kombëtare e Auditimin në raportin për “KRU Prishtina” për vitin 2020-të ka gjetur se kjo ndërmarrje kishte kompenzuar nga 300 euro shtesë në emër të mjeteve simbolike financiare për fund vit.

“Bordi i drejtorëve me datë 30.12.2020 kishte marrë vendim për kompensim me nga 300€ shtesë për drejtorët e BD, në vlerë 1,200€, në emër të mjeteve simbolike financiare për fund vit, përkundër që një kompensim i tillë nuk është i lejuar me ligj” thuhet në raportin e ZKA-së.

Reklama e sponzorizuar

Sipas auditorit ky kompensim shtesë ka ardhur si kërkesë nga dy anëtarë të bordit kërkesë kjo e cila është aprovuar nga përkrahja e anëtarit të tretë, edhe pse e kundërshtuar nga Kryeshefi Ekzekutiv dhe një anëtar i bordit të drejtorëve.

Ndërkohë, kompensimi shtesë i anëtarëve të bordit drejtues, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ndikon në dëmtimin e buxhetit të Kompanisë për shkak të shpenzimit të parave publike pa bazë ligjore.

Auditori i rekomandon bordit të drejtorëve, nxjerrjen e vendimeve për kompensime shtesë ta bëjë në përputhje me vendimet e Qeverisë dhe ligjet në fuqi.

“Ligji për ndërmarrjet publike, neni 12 përcakton se NP-të janë përgjegjëse për pagimin e të gjithë kompensimit për drejtorët e saj vetëm nga pagesat e parapara me Vendimin e Aksionarit dhe drejtorët e NP nuk do të marrin asnjë kompensim ose përfitim tjetër nga NP-ja” thuhet tutje në raport. /Buletini Ekonomik/