Rishikimi i Buxhetit do të bëhet me procedurë të përshpejtuar

Kuvendi i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka paraqitur para deputetëve të Kosovës një mocion procedural për fazat e miratimit të rishikimit të buxhetit. Me 69 vota për, 13 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë miratuar këtë propozim.

Ajo ka kërkuar nga deputetët që me procedurë të përshpejtuar të dërgohet në komisionet përkatëse rishikimi i buxhetit dhe më pas më 27 korrik të mbahet edhe seanca për miratimin e plot të rishikimit të buxhetit.

“Pas këtij miratimi i adresohen komisionit funksional deri më 22 korrik 2021, e enjte ora 16:00. Komisioni funksional deri më 23 korrik e premte duhet të shqyrtojë projektligjin dhe raportin me rekomandime t’i paraqet komisioneve të përhershme. Komisionet e përhershme deri më 26 korrik ora 16:00 e hënë do të shqyrtojnë projektligjin dhe raportet me rekomandime t’i paraqesin komisionit funksional. Komisioni funksional deri më datën 27 korrik 2021, ora 16:00 dita e martë duhet të paraqes raportin me rekomandime për shqyrtim të dytë në seancën plenare. Ftoj seancën që të votojë këtë shmangie të procedurës në mënyrë që të votojmë dhe deri në fund të muajit të kemi miratimin e plot të rishikimit të buxhetit”, ka deklaruar ajo.

Reklama e sponzorizuar

Më pas ajo ka njoftuar se seanca për lexim të dytë të rishikimit të buxhetit, me propozimin e tyre, do të mbahet më datën 28 korrik.

“Propozojmë që shqyrtimi i dytë i projektligjit 08L16 për ndryshim dhe plotësim të ligjit 07L41 mbi ndarjet buxhetore të bëhet në seancën plenare me datë 28 korrik 2021 me fillim në orën 10:00”, ka shtuar ajo.

Mirëpo, Partia Demokratike e Kosovës nuk është pajtuar me këtë shmangie të procedurave. Bedri Hamza ka thënë se kjo është një prej dokumenteve më të rëndësishme që trajtohen në Kuvend të Kosovës.

“Siç po shihet, qeveria gjithmonë po vonohet, e pastaj kur po vonohet, kuvendin po e vendos në presion e kjo nuk është as në funksion të transparencës, as në llogaridhënies, as krijimit të kushteve që deputetët të japin kontributin e vet, por edhe organizatat buxhetore të kenë mundësinë që të bëjnë kërkesa brenda dy leximeve. Prandaj, si rezultat i vonesave unë konsideroj që ky është prej dokumenteve më të rëndësishme që i trajton kuvendi, të shkon në procedurë të rregullt dhe në duar të rregullta arrin që deri në afat më 28 korrik të vjen në lexim të dytë. Përndryshe ne jemi kundër kësaj praktike që çdo herë të vjen në kuvend kërkesa për procedurë të përshpejtuar”, ka thënë Hamza.

E, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi theksoi se më parë kur është kërkuar që të miratohet rishikimi i buxhetit me procedura të përshpejtuar, sulmoheshin nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Po më kujtohet si sot kryetar britmat në kuvend ‘ po e qoni me procedurë të përshpejtuar, po doni me fsheh diçka, këtu ka fshehje’, tregoni çfarë fshehje ka, të njëjtën procedurë po e bëni. Çka po fshehët? Ne paskemi fsheh atëherë diçka, tash ju jeni në pushtet paskeni marrë vesh që kemi fsheh diçka, çka kemi fsheh ne, dhe çka po fshiheni ju në procedurë të përshpejtuar. Hajde tregoni këtu. E dyta, ende me diskursin e qeverisë me Rakiqin, po harroni që e keni ministër në qeveri. Kolegët tanë e Listës Serbe, sapo votuan që të miratohet buxheti.. Ata po marrin pjesë në kuvend dhe po votojnë prej takimit të kryeministrit Kurti me Vuçiqin në Bruksel, në asnjë votim paraprak nuk kanë marrë pjesë”, u shpreh ai.

Sipas tij, LDK nuk përkrah përshpejtimin e procedurave për miratimin e rishikimit të buxhetit për vitin 2021. Ai ka kujtuar edhe kur LVV kundërshtonte marrëveshjet ndërkombëtare.

Pas deklarimit të Gashit, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka theksuar se LVV me LDK-në ka qenë në pozicione të njëjta se në pozicione të kundërta. Për këtë ai ka shtuar se“Është mirë që kur ta shpjegoni deri në fund projektin tuaj politik, nëse mendoni që keni hyrë në këtë fazë që është faza e skajshme e mjeteve politike që ne nuk duam kurrfarë konsensusi me deputetët e mazhorancës, për neve ky pushtet është kaq i dëmshëm, dhe po rrezikohet kështu kështu, sa që ne as marrëveshjes ndërkombëtare nuk i votojmë, as buxhetin, që t’i shkojnë këto ndihmesa qytetarëve, punëtorëve, atëherë është në rregull, por prezantoni argumentin i cili është e vetmja premisë që shkohet në zgjedhje. Por, zgjedhje pas zgjedhjeve do të thotë është krejtësisht iracionale”, ka deklaruar Konjufca.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar që të mos përshpejtohet procedura për rishikimin e buxhetit për vitin 2021.

“Grupi jonë parlamentar kërkon që mocioni procedural të shkon në mënyrë të rregullt, për shkak se çështjet që i ngritëm mund të trajtohen më substancialisht me ministrin e Financave dhe në komisionin për Buxhet”, u shpreh ai.

Në fund të diskutimit, deputetët kanë miratuar propozimin për përshpejtim të procedurave të rishikimit të buxhetit.

“Atëherë konstatoj që me 69 vota për, me 13 vota kundër dhe me asnjë abstenim, kuvendi e miratoi propozimin në fjalë, pra mocionin me të gjitha afatet e parapara për shqyrtimin e Projektligjit 08L 016 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, numër 7L 041 mbi ndarjet buxhetore për ndarjen e buxhetit për vitin 2021”, ka njoftuar Konjufca.

Në këtë rast, komisioni funksional ngarkohet dhe komisionet e përhershme që në pajtim me këtë vendim të shqyrtojnë projektligjin dhe kuvendit t’ia paraqesin rekomandime./Telegrafi/