Ministria e Kulturës shpërbleu me subvencione dy herë brenda vitit OJQ-të e njëjta

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) gjatë vitit 2020 ka shpenzuar nga buxheti i saj gjithsej 47 mijë e 500 euro për vetëm dy Organizata Joqeveritare (OJQ).

Kjo ministri kishte bërë subvencionim të dyshishtë për këto dy organizata, pra OJQ-të në fjalë kishin përfituar dy herë subvencione nga dy departamente të ndryshme brenda MKRS-së, por për projektin e e njëjtë që paraprakisht kishte përfituar subvencion nga njëri departament i ministrisë, përcjell Buletini Ekonomik.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) me rastin e auditimit të kësaj ministrie për vitin 2020, ka konstatuar se financimi i dyfishtë për projektin e njëjtë nga departamente të ndryshme brenda ministrisë ka dëmtuar buxhetin e vet ministrisë.

Reklama e sponzorizuar

E gjithë kjo kishte ndodhur si pasojë e mungesës së kontrolleve adekuate në vlerësim të aplikacioneve, nga ekzekutimi i pagesave për dhënien e subvencioneve, si dhe nga moskordinimi dhe bashkëpunimi mes departamenteve të ministrisë, gjë që do ta shmangte rrezikun e dëmtimit të buxhetit.

Gjatë testimit nga ZKA-ja është identifikuar se dy OJQ, “Doku Fest” dhe Fondacioni “Lumbardhi” gjatë vitit 2020, kishin përfituar mjete financiare në vlerë prej 47,500 euro nga dy departamente brenda ministrisë për të njëjtat projekte.

Për vlerën 19 mijë e 500 euro të subvencionimit të dyfishtë, OJQ-të në dëshmitë e ofruara në dosjen e aplikimit nuk kishin prezantuar deklaratë të saktë mbi financimin e dyfishtë të mjeteve, si rezultat i kontrolleve të dobëta nga zyrtarët përgjegjës për vlerësimin e aplikacioneve, konstaton raporti i bërë nga ZKA.

Për vlerën 19,500€ të subvencionimit të dyfishtë, OJQ-të në dëshmitë e ofruara në dosjen e aplikimit nuk kishin prezantuar deklaratë të saktë mbi financimin e dyfishtë të mjeteve. Kjo kishte ndodhur si rezultat i kontrolleve të dobëta nga zyrtarët përgjegjës për vlerësimin e aplikacioneve e deri te realizimi i pagesave si dhe në mungesë të bashkëpunimit mes departamenteve brenda ministrisë”, thuhet në raport.

Ndërkohë, sipas Rregullores mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit public të OJQ-ve, për t’u kualifikuar për mbështetje financiare publike, aplikuesit duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme minimale përkatësisht të mos kenë pranuar mjete nga burime tjera të financimit për të njëjtat aktivitete.

Auditori i Përgjithsëm i rekomandon ministrit që të sigurohet që secili vendim për subvencionim do të jetë konform kërkesave të rregullores. Për më tepër, ministri duhet edhe të iniciojë rishikimin e rasteve të përmendura më lartë për të parandaluar subvencionimin e dyfishtë për projektin e njëjtë. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/