Ministria e Kulturës kompenson stafin ‘ekstra’ për t’i motivuar në punë

“Mbi 56 mijë euro për motivim të stafit”.

Taktika e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për shpenzimin e buxhetit të saj për t’i kompensuar punëtorët e saj ‘ekstra’, në mënyrë që ata të marrin pjesë në komisionet e brendshme, është në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi, sipas Auditorit.

Rrjedhimisht këto kompensime për stafin e MKRS-së janë pagesa të parregullta, pasi që ky lloj shërbimi konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të postit të cilin e mban punonjësi, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Nga raporti i auditimit për këtë ministri nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), del se MKRS kishte anashkaluar kërkesat ligjore duke kompensuar stafin e angazhuar në këshilla drejtuese dhe komisione të ndryshme.

Vlera totale e këtyre kompensimeve ishte 56 mijë e 575 euro, prej të cilave 18 mijë e 650 euro ishin paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve dhe 37 mijë e 925 euro nga kategoria subvencione dhe transfere.

Shkaku i këtyre kompensimeve sipas menaxhmentit të MKRS-së ishte motivimi i stafit, pasi që në mungesë të kompensimit, stafi hezitojnë të angazhohen në komisione të tilla. Nga ZKA thonë se për këtë çështje, menaxhmenti i MKRS kishte kërkuar edhe interpretim në Ministrinë e Financave.

Ndërkohë, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, brenda orarit të punës nuk lejohet kompensimi shtesë nëse një punonjës, shërbyes civil ose zyrtar i një autoriteti publik ose organizate buxhetore, sipas një akti të Qeverisë, kërkohet që të shërbejë në një komision, bord ose organ apo autoritet tjetër publik.

Kjo pasi shërbimi në këto komisione konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të postit të cilin e mban punonjësi, shërbyesi civil ose zyrtari i ministrisë.

Nga ZKA rekomandohet që ministri i MKRS-së t’i rishikojë rastet e mësipërme dhe t’i ndalojë pagesat pa një bazë të qartë ligjore, si dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të iniciojë zhvillimin e një politike të re rreth funksionimit të këshillave drejtuese dhe komisioneve duke specifikuar në mënyrë të qartë udhëzimet rreth angazhimit, punës dhe kompensimit të anëtarëve të këshillave e dhe komisioneve të ndryshme. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/