Auditori ngre dyshime për keqpërdorim të subvencioneve në Kryeministri në kohën e Hotit

0
50

Zyra e Kryeministrit gjatë vitit 2020 ka dështuar në menaxhimin e mirë të subvencioneve në emër të çështjes së komuniteteve në vend.

Kjo zyrë ka dhënë gjithsej 104 mijë e 300 euro subvencione për dhjetëra projekte të ndryshme gjatë vitit 2020, që kanë të bëjnë kryesisht me çështjen e komuniteteve në vend, mirëpo nuk kishte monitoruar fare për ecurinë e projekteve dhe se apo përmbushen detyrimet kontraktuale sipas marrëveshjeve.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka ngritur dyshime serioze për menaxhimin e subvencioneve nga kjo Zyrë, për shkak se projektet përfituese nuk kishin ofruar kurrfarë raporti financiar apo narrativ për realizimin e projekteve, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

ZKA ka gjetur se në 13 raste në vlerë totale prej 36 mijë e 300 eurove, është identifikuar se dëshmitë mbështetëse për shfrytëzimin e subvencioneve për persona fizik ishin të mangëta, sepse mungonin raportet narrative, financiare dhe dëshmitë për realizimin e projektit.

Kurse, për subvencionin “Përparimi i sistemit të mbrojtjes sociale të etniteteve pakicë” në vlerë prej 38,000 eurove të nënshkruar me 28.09.2020, në tri raste prej 7,200 eurove, sipas dokumenteve të ofruara nuk është dëshmuar se trajnerët kishin mbajtur të gjitha trajnimet e parapara në marrëveshje.

“Ky projekt kohën e implementimit e ka deri në shtator 2021, ndërsa përmbyllja e të gjitha aktiviteteve dhe dëshmive për realizimin e tij mbetet të verifikohet në auditimin e vitit pasues”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Ndërkohë, për projektin “Shkolla e vallëzimit latin dhe modern me pjesëmarrjen edhe të medies” në vlerë të  20,000 eurove i datës 08.10.2020 dhe për projektin “Promovimi i të drejtave të malazezëve” prej 10,000 eurove, të paguara me 06.10.2020, mungonin raportet tremujore lidhur me realizimin e projektit.

Kështu, Kryeministria nuk ka kurrfarë dëshmie se a janë shpenzuar paratë publike në mënyrë të duhur për çështjet përkatëse apo jo.

Sipas nenit 4.3 të marrëveshjes së Zyrës për Çështjen e Komuniteteve, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë, me përfituesit, përfituesit obligohen të dorëzojnë raporte tremujore për implementimin e projektit, ndersa Neni 17.3 i programit për Komunitete thekson se personat fizik janë të obliguar që 30 ditë pas realizimit të projektit të dorëzojnë raport përfundimtar narrativ, financiar dhe të dëshmojnë se subvencioni është realizuar sipas planit dhe në pajtim të plotë me programin.

Për të verifikuar vërtetësinë e shpenzimeve të subvencioneve të dhëna nga Zyra për çështje të Komuniteteve, ZKA-ja ka bërë gjithashtu edhe ekzaminimin në terren të ecurisë së katër (4) projekteve përfituese të OJQ-ve, ku në njërin prej tyre kishte identifikuar se dokumentimi i shpenzimeve të bëra nuk ishte bërë në harmoni me marrëveshjet e lidhura në mes ZÇK dhe OJQ dhe në bazë të marrëveshjes në mes OJQ me bartësit e projekteve.

“Të gjitha këto kishin ndodhur për shkak të mungesës së aktiviteteve monitoruese nga ZÇK dhe mos zbatimit të Rregullores në rastet e mos përmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga përfituesi”, thonë nga ZKA.

Në anën tjetër, realizimi i aktiviteteve jo në përputhje me marrëveshjen dhe mungesa e raporteve kthyese nga përfituesit, rritë rrezikun që Zyra për Çështjen e Komuniteteve të paguajë për aktivitete që nuk përkojnë me objektivat e ZÇK-së dhe ndikon në shfrytëzimin e tyre për qëllime tjera nga ato të synuara.

Auditori rekomandon Sekretarit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të ZÇsë se duhet të sigurojnë se të gjitha projektet e subvencionuara të raportohen në kohën e paraparë dhe me dokumentet mbështetëse valide të parapara në marrëveshje dhe me programin për Komunitete. Ndërsa, në rastet e mos përmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga përfituesit, të ndërmerren masat për pezullimin dhe kthimin e mjeteve siç kërkohet me marrëveshje. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here