Sa i shtrenjtë është bregdeti shqiptar këtë vit?

Një debat është zhvilluar në studion e A2 Business në lidhje me turizmin në Shqipëri dhe faktin që çmimet në jug të vendit janë disa herë më të larta se në pjesën tjetër të bregdetit.

Sipas zv/ministres së Turizmit, Ornela Çuçi turizmi nuk është një e drejtë kushtetuese. Ajo shtoi se Shqipëria ofron mundësi për të gjithë pushuesit dhe solli në vëmendjen rastin e Caprit në Itali, i cili siç dihet nuk mund të përballohet nga të gjithë për shkak të çmimeve të larta, përcjell Albinfo.ch.

“A është Kapri i përballueshëm për të gjithë italianët? A është e përballueshme Ibiza për të gjithë italianët? Jo nuk është. A është e përballueshme që t’i të marrësh çantën e shpinës se nuk ke mundësi ta përballosh dhe të shkosh të pushon në një kamp që ofron këtë lloj turizmi që t’i përballon. Turizmi nuk është një e drejtë kushtetuese. Turizmi është një industri qejfi. Qejfi edhe paguhet.

Reklama e sponzorizuar

Nëse nuk të pëlqen trofta që shitet me 20 mijë lekë në një lokal, mund të drekosh në një lokal tjetër. Unë kam pushuar 3 vjet në Jalë. Jo në resortin që e ka çmimin 200 euro nata, por kam gjetur një shtëpi me qira me 30 mijë lekë nata dhe kam punuar shumë mirë dhe ka qenë i njëjti bregdet. E ka Shqipëria luksin që të ofrojë të gjitha llojet e natyrës”, tha zv.ministrja.