Zyra e Presidentit ndau subvencione për OJQ-të pa thirrje publike

Zyra e Presidentit gjatë vitit 2020 kishte shpërndarë subvencione për OJQ-të në vlerë të 24 mijë e 220 eurove, pa bërë kurrfarë shpalljeje publike.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit për vitin 2020 në këtë institucion, ka konstatuar se një ndarje e tillë e subvencioneve pa bërë thirrje publike është në kundërshtim me rregulloren për procedurat e financimit publik të OJQ-ve. E njëjta rregullore përcakton qartë që për çdo mbështetje financiare për OJQ-të duhet të shpallet përmes thirrjes publike, dhe duhet të publikohet ne ueb faqen e ofruesit të mbështetjes financiare.

“Në këtë rregullore, janë përcaktuar kriteret që duhet zbatuar nga të gjitha organizatat buxhetore të cilat financojnë projektet apo programet e OJQve. Në pesë (5) raste të testuara në vlerë 24,220€, Zyra e Presidentit kishte ndarë subvencione ndaj OJQ-ve të cilat kishin bërë kërkesë për financimin e projekteve të tyre. Për këto subvencione, nuk ishte bërë shpallje publike”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Reklama e sponzorizuar

E gjithë kjo kishte ndodhur pasi që procedura e dhënies së subvencioneve nga Zyra e Presidentit ishte bërë bazuar në udhëzimin e brendshëm për procedurat e ndarjes së subvencioneve, i cili nuk parasheh thirrje publike lidhur me mbështetjen financiare ndaj OJQ-ve.

Por, mbështetja financiare e OJQ-ve pa thirrje publike, sipas Auditorit ndikon në kufizimin e konkurrencës dhe përzgjedhjes së përfituesve. Prandaj, ZKA i rekomandon Sekretarit të Përgjithshëm, që të sigurojë që mbështetja financiare e OJQ-ve të bëhet përmes thirrjes publike dhe kërkesave tjera të rregullores MF-Nr.04/2017, mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, lidhur me gjithë ciklin e ofrimit të mbështetjes financiare.

Buxheti final për subvencione dhe transfere i kësaj Zyreje ishte 270 mijë euro, prej të cilave më 2020 ishin shpenzuar pothuajse të gjitha, 269 mijë e 951 euro. Ato kishin të bëjnë me projekte të ndryshme varësisht prej kërkesave nga personat fizik dhe juridik, përcjell Buletini Ekonomik.

Në anën tjetër, Zyra e Presidentit gjatë vitit 2020, ishte detyruar që të bëjë edhe pagesa përmes vendimeve gjyqësore-përmbarimore, pasi kishte hyrë në detyrime financiare në mungesë të kontratës.

Auditori gjatë auditimit ka gjetur se përkundër përfundimit të kontratës për shërbime postare, ZPRK kishte vazhduar me marrjen e shërbimeve pa procedura të ripërtrirjes së kontratës.

E për kompensimin e këtyre shërbimeve, përmes përmbaruesit privat nga Thesari ishte kryer pagesë direkte në vlerë të 3 mijë e 988 eurove. Prej kësaj vlere, borxhi kryesor ishte 3 mijë e 311 euro ndërsa 677 euro ishin shpenzime për shërbime gjyqësore dhe të përmbarimit.

Kjo kishte ndodhur për shkak të kërkesave për shërbime postare të domosdoshme edhe pse për këto shërbime kishte përfunduar vlera dhe afati i kontratës. Mirëpo, hyrja në detyrime financiare në mungesë të kontratës apo të një baze të qartë ligjore, ndikon në shpenzimin e buxhetit për qëllime tjera të pa planifikuara me buxhetin e vitit aktual si dhe shpenzime shtesë në emër të shpenzimeve gjyqësore dhe të përmbarimit, nxjerr si përfundim Auditori i Përgjitshëm.

Përveç shkeljeve të mësipërme, Zyra e Presidentit më 2020 kishte bërë ekzekutim të pagesave edhe jashtë kontratave të nënshkruara.

Zyra e Presidentit në kontratën për “Furnizim me pajisje mbrojtëse kundër përhapjes së virusit COVID 19” kishte përmbushur vlerën e kontraktuar. Përkundër kësaj, Auditori shpjegon se ZPRK kishte pranuar furnizime dhe kishte ekzekutuar pagesën në vlerë 2 mijë e 276 eurove përtej vlerës së kontraktuar, të cilat ishin me çmimin e njëjtë të kontratës së përmbushur.

Arsyeja e realizimit të furnizimeve dhe pagesës, ishte situata e pandemisë dhe nevoja për furnizime të shpejta kundër përhapjes me Covid-19, sipas Zyrës së Prresidentit. Porse, ekzekutimi i pagesave përtej kontratës, sipas Auditorit rritë rrezikun e pagesave të pa rregullta. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/