Sondazhi: Këta janë ministrat që vlerësohen më së shumti dhe më së paku në 100 ditë qeverisje

Arben Vitia, Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla, Armend Mehaj, Hekuran Murati janë pesë ministrat e Qeverisë Kurti, të cilët në bazë të qytetarëve që morën pjesë në sondazhin e Telegrafit janë vlerësuar si ministrat që bënë punën më të mirë në 100-ditëshin e qeverisjes.

Më së paku vlerësim për punën 100-ditëshe morën Goran Rakiq, Fikrim Damka, Artane Rizvanolli, Elbert Krasniqi e Rozeta Hajdari.

Nga 1070 vota gjithsej, lexuesit e Telegrafit të cilët kishin mundësi të votonin për pesë ministritë më të mira, vendosën që ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia ta vlerësonin me 570 vota, ku ai mori 19 për qind të të gjitha votave.

Reklama e sponzorizuar

E dyta me më së shumti vota në këtë listë është ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka marrë 16 për qind të votave, apo 465 vota, për të lënë pas ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla me 344 vota, apo 12 për qind.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është renditur i katërti nga lexuesit e Telegrafit, të cilët e vlerësuan me 320 vota, apo 11 për qind, ndërkaq i pesti është ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati me 282 vota apo 10 për qind.

Me një mesatare nga 3 e deri në 8 për qind të votave janë vlerësuar ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Me vetëm 64 vota është vlerësuar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndërkaq ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka vetëm një votë më pak pra 63 vota.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë 58 vota, ndërkaq ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka ka marrë 45 vota, kurse i fundit në këtë listë është ministri për Komunitete dhe Kthim Goran Rakiq, me 39 vota.

Të dhënat e sondazhit me pyetjen “Cilat ministri i vlerësoni më shumë për punën e bërë në 100 ditët e para?” ishin 1070 vota, ku nga 15 ministri lexuesi ka mundur të zgjedh vetëm pesë ministritë më të mira, pastaj renditja është bërë në mënyrë automatike:

Ministria e Shëndetësisë (570 vota/19 për qind)

Ministria e Drejtësisë (465/16%)
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (344/12%)
Ministria e Mbrojtjes (320/11%)
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (282/10%)
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (242/8%)
Ministria e Punëve të Brendshme (157/5%)
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (118/4%)
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (89/3%)
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (85/3%)
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (64/2%)
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (63/2%)
Ministria e Ekonomisë (58/2%)
Ministria e Zhvillimit Rajonal (45/2%)
Ministria për Komunitete dhe Kthim (39/1%) .