Çfarë përmban traktati i lumit Columbia, që merret si model në studimin amerikan për Liqenin e Ujmanit?

0
22

Gjatë ditës së djeshme, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës raportin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, i paraparë në njërën nga pikat e Marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington.

Raporti propozon formimin e një komisioni për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.

Aty theksohet se sistemi i Ujmanit duket se luan një rol të njëjtë të digës në lumin Columbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve.

Reklama e sponzorizuar

“Sistemi i Ujmanit duket se luan rol të ngjashëm me Digën e Grand Couleet në lumin Columbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në SHBA sa i përket kontributit të tij për sistemin e magazinimit për furnizim me ujë gjatë sezoneve, dhe energjinë ujore dhe po ashtu për shërbimet e kontrollit të përmbytjes – të gjitha të bazuara në një kombinim të parashikimeve të fluksit sezonal dhe afatshkurtër, të gjitha të bazuara në një kombinim të parashikimeve të fluksit sezonal dhe afatshkurtër”, thuhet në njërën nga pikat e raportit, përcjell Telegrafi.

Çfarë përmban traktati i lumit Columbia?

Traktaki i lumit Columbia është arritur në vitin 1961 midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas kësaj marrëveshje u ndërtuan katër diga: tri në Kanada dhe një në shtetin Montana në SHBA.

Ky traktat është një marrëveshje midis qeverive të Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara që kërkonte të ndërtoheshin këto diga hidro-elektrike.

SHBA-ja i paguan Kanadanë 150 deri 250 milionë dollarë në vit për prodhimin shtesë të energjisë nga digat kanadeze. Traktati konsiderohet si një model i bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin e energjisë hidrike.

Në përputhje me kushtet e traktatit, Kanada ndërtoi tre rezervuarë nga viti 1967 deri në 1973 (diga Duncan, diga Hugh Keenleyside dhe diga Mica) duke marr në këmbim gjysmën e gjenerimi shtesë të energjisë elektrike. Në vitin 1975, SHBA-ja ndërtoi digën Libby Dam.

Kanada operon në 19.2 milionë metër kub të rezervuarit për prodhimin e energjisë.

Në kohën e ratifikimit të traktatit, 30 vitet e para të të Drejtës Kanadeze iu shitën një konsorciumi amerikan për 254.4 dollarë amerikanë.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu siguruan blerjen e 10.4 milionë metër kub të rezervuarët kanadezë CRT deri në vitin 2024 për 64.4 milionë dollarë.

Traktati ekziston në legjislacionin aktual të mbrojtjes së mjedisit në Kanada dhe SHBA dhe përqendrohet në prodhimin e energjisë dhe kontrollin e përmbytjeve. Çështjet e brendshme mjedisore siç janë mbrojtja e specieve në rrezik aktualisht adresohen jashtë traktatit. Ekziston një farë fleksibiliteti operacional në traktat për të adresuar një sërë kërkesash të menaxhimit të ujit.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Washingtonit

Më 4 shtator 2020, në prani të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshjen për normalizim ekonomik.

“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thuhet në dokument.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte miratuar planin 16-pikësh për zbatimin e kësaj Marrëveshje.

Pika e shtatë e këtij plani është që të dy palët do të punojnë me Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësi të tjera të Qeverisë së SHBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllimet e shfrytëzimit të përbashkët të Liqenit Ujmanit, si burim i mundshëm i ujit dhe energjisë.

“Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësive tjera të qeverisë së SHBA-ve duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit, duke u fokusuar në: përcaktimi i alokimit teknik ekzistues të burimeve ujore të liqenit; eksplorimi i mundësive, nëse ka, për të avancuar infrastrukturën e liqenit për të optimizuar furnizimin me ujë, për të mundësuar përdorimin për qëllime të tjera (p.sh. ujitje, ujë të pijshëm); dhe Sigurimi që secili rekomandim ose propozim në studim nuk duhet të rrezikojë shfrytëzimin ekzistues të ujit”, thuhej në plan.

Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga SHBA-ja.