Gërxhaliu: Qeveria të zgjedhë problemin e Kartonit të Gjelbërt, mos të goditen as qytetarët e as diaspora

0
43

Qeveria e Kosovës së fundmi ka marrë vendim për të paguar polisat e sigurimeve që paguhen nga bashkatdhetarët në momentin që hyjnë në Kosovë.

Ky vendim është kritikuar nga mjaft shumë analistë dhe partitë opozitare, pasi që Vetëvendosje sa ishte në opozitë kishte premtuar heqjen totale të kësaj pagese, ndërsa tani e njëjta është duke u paguar nga buxheti i shtetit dhe nuk është hequr tërësisht.

Ish-kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se diaspora e Kosovës e meriton një vendim të tillë.

Reklama e sponzorizuar

“Nëse bëhet një analizë dhe kërkohet kush ka meritën më të madhe për një stabiliteti social dhe ekonomik në Kosovë, definitivisht këtë epitet pa mëdyshje e meriton diaspora e Kosovës dhe çkado që bëjmë për diasporën kosovare është e pamundur t’ua kthejmë borxhin dhe meritat çfarë ka bërë ajo për Kosovën”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka thënë se përpos lapidareve dhe shesheve që janë ngritur për heronjtë e luftës dhe sakrificës, duhet të ndërtohet edhe një shesh i diasporës në Prishtinë, që të bëhet vendtakim i dasporës në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë.

Gërxhaliu ka thënë se çështja e polisës së sigurimeve apo “Kartonit të Gjelbërt” është problem i trashëguar që është përcjell me parregullsi dhe afera korruptive.

“Unë po i lexoj komentet e shumta të analistëve dhe opozitës që po e kundërshtojnë vendimin e Qeverisë për heqjen e polisës së sigurimeve. Duhet të kuptohet se problemi i polisës apo Kartonit të Gjelbërt është problem i trashëguar me vite të tëra dhe dihet fare mirë me çfarë parregullsi dhe afera korruptive është përcjellë një proces i tillë. Nuk duhet gjithmonë qytetari apo diaspora të jetë e gjykuar për të paguar pro grupeve të interesit, besoj se një vendim i tillë për një kohë të caktuar është i mirëseardhur, duhet të duartrokitet, duhet të mbështetet dhe duhet të falënderohet diaspora për kontribut. Por, në të njëjtën kohë është obligim institucional që institucionet të gjejnë alternativën që këto probleme me Kartonin e Gjelbërt të zgjidhen, qoftë me Malin e Zi, qoftë me Serbinë, qoftë edhe me vendet e tjera. Nuk duhet gjithmonë të humbet kohë për të kërkuar arsye për dështim, por duhet të gjinden rrugë për të dalë nga dështimi sepse nuk qëndron fakti që Kosova vetëm pse nuk është anëtare e OKB-së nuk mund të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbërt. Andaj, besoj se ekspertiza profesionale duhet të thotë fjalën e vet, duhet të zgjidhet ky problem që në të ardhmen mos të goditet buxheti, qytetari, por as diaspora”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka thënë se meqenëse diaspora e Kosovës dërgon brenda vitit rreth 2.5 miliardë euro në vendin tonë, e meriton në shenjë respekti e falënderimi të mos paguajë polisën e sigurimit, në mënyrë që të ketë një motiv shtesë për të vizituar Kosovën.

“Sa më shumë vizitohet Kosova nga diaspora, rritet konsumi, hijeshohet Kosova dhe ngjallet ekonomikisht edhe në aspektin social shihet realitet kosovar. Edhe opozita duhet të ngritë interest e veta në interest ë shtetit dhe jo vetëm për interest ë partive politike dhe lufta për pushtet, sepse lufta për shtet është shumë më e nevojshme për Kosovën”, ka thënë Gërxhaliu për lajmi.net.

Ai ka thënë se beson që Qeveria e re do ta ketë prioritet integrimin rajonal dhe evropian, duke thënë se integrimi nuk mund të arrihet pa barazi.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike ka thënë se të gjithë ekspertët duhet të punojnë në drejtimin që Kosova të jetë sa më shpejtë pjesë e Kartonit të Gjelbërt dhe ky problem të zgjidhet në mënyrë institucionale.
“Përndryshe, një vendim i tillë që diaspora të lirohet nga pagesa e polisave është i mirëseardhur dhe e meriton kontributi i tyre. Duhet të punohet në aspektin profesional, duhet të lobohet dhe diplomacia ekonomike ta marrë fatin e këtyre proceseve në duart e veta dhe vërtetë për Kosovën të flasin ekspertë dhe jo gjithmonë njerëzit të paditur në emër të politikës”, ka përfunduar Gërxhaliu.

Kujtojmë se sa ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar heqjen e kësaj pagese të polisave të sigurimit, ndërsa është kritikuar se aktualisht këtë pagesë po e bën nga buxheti i shtetit.