Bitcoin bie nën 30,000 dollarë për herë të parë që nga janari, pas presionit për të rregulluar tregun e pakontrolluar

Çmimi  i bitcoin ka rënë nën 30,000 dollarë, duke zhdukur pothuajse të gjitha fitimet e tij për vitin, pasi kërkesat e rregullatorëve e kanë vënë monedhën kryesore dixhitale në botë nën presion të vazhdueshëm.

Bitcoin ra deri në 12 për qind të martën, duke zbritur deri në 28,824 dollarë, çka bëri që të bjerë me më shumë se 50 për qind nga kulmi i saj në prill prej gati 65,000 dollarësh.

Rënia e bitcoin ka tërhequr shumë pjesë të tjera të tregut të pasurive dixhitale, duke ndikuar dhe në “monedhat alt” si eter dhe dogecoin, shkruan Financial Times.

Reklama e sponzorizuar

Javët e fundit ka pasur shtim të presionit nga autoritetet globale që kërkojnë të frenojnë tregun kryesisht të parregulluar.

Kina, e cila ishte një nga tregjet më të rëndësishme të monedhës dixhitale në botë, ka ndaluar prodhimin (mining) e bitcoin në provincat kryesore – ky një proces thelbësor i nevojshëm për të regjistruar dhe verifikuar transaksionet dhe për të krijuar monedha të reja. Banka qendrore e vendit të hënën paralajmëroi disa nga bankat e saj më të mëdha në pronësi të shtetit dhe Jack Ma’s Alipay që të “hetonin dhe identifikonin ” llogaritë bankare që lehtësojnë tregtinë e kriptomonedhave dhe të bllokojnë të gjitha transaksionet përkatëse.

Fundstrat, një kompani kërkimore me seli në Nju Jork, tha se shitja që filloi të hënën ishte “kryesisht e nxitur nga presionet rregullatore nga Kina”.

Vëllimet e tregtimit të hënën në bursat kryesore të ndjekura nga Goldman Sachs u rritën në nivelin më të lartë në rreth katër javë.

Rregullatorët globalë këtë muaj bënë thirrje që kriptovalutat të zbatojnë rregullat më të ashpra të kapitalit bankar për çdo aset, duke argumentuar se kërkesat për mbajtjen e bitcoin dhe monedhave të ngjashme virtuale duhet të jenë shumë më të larta se ato për aksionet dhe bonot konvencionale.

Shqipëria është ndërkohë një nga ato pak shtete të Europës që e kanë rregulluar me ligj të posaçëm tregtimin e monedhave virtuale që në shtator të vitit të kaluar, por aktet nënligjore, që do zyrtarizonin tregtimin e tyre, nuk janë ende gati.