G7 sfidon iniciativën e Kinës, “Brez dhe Rrugë” – Njofton planin e investimeve në infrastrukturë prej miliarda dollarë

Grupi i shtatë vendeve më të pasura në botë ka njoftuar një plan global të investimeve në infrastrukturë, në kundërpërgjigje të iniciativës së Kinës, “Brez dhe Rrugë”. Njoftimi është bërë nga një zyrtar i lartë i administratës së presidentit amerikan, Joe Biden. Zyrtari, që foli në kushtet e anonimitetit, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të  shtyjnë liderët e G7-ës për vepime konkrete mbi punën e detyruar në Kinë.

Iniciativa e Kinës, “Brez dhe Rrugë” është një skemë investimesh në infrastrukturë prej miliarda dollarë, e njoftuar në vitin 2013 nga presidenti Xi Jinping dhe përfshin investime nga Azia në Europë. Më shumë se 100 vende, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, kanë nënshkruar marrëveshje me Kinën për të bashkëpunuar në projekte si hekurudha, porte, autostrada, etj. Sipas të dhënave të Reuters, deri në mes të vitit të kaluar, më shumë se 2,600 projekte me një kosto prej 3.7 trilionë dollarë ishin bërë pjesë e iniciativës.

Por në qershor të vitit të kaluar, ministria e jashtme e Kinës njoftoi se rreth 20% e projekteve ishin ndikuar nga pandemia e Covid-19. Në përgjigje të kësaj skeme, në mars të këtij viti, presidenti amerikan, Joe Biden, i sugjeroi kryeministrit britanik, Boris Johnson, i cili drejton takimin e G7-ës, që edhe vendet e zhvilluara duhet të kenë skemën e tyre të financimit. Deri më tani, vendet perëndimore kanë dështuar të sjellin një alternativë pozitive në këtë drejtim.

Reklama e sponzorizuar

SCAN TV