“Hortikultura” pa tarifa të shërbimeve

Bordi Drejtues i ndërmarrjes publike “Hortikultura”, nuk e ka parë të arsyeshmë vendosjen e një çmimoreje fikse me tarifa për shërbimet e kryera nga kjo ndërmarrje.

Si rrjedhojë, Hortikultura është detyruar që shërbimet t’i kryejë pa u bazuar në ndonjë tarifore të miratuar nga Bordi i saj, përcjell Buletini Ekonomik.

Shërbimet e Hortikulturës gjatë 2020-s ishin në vlerë të 7 mijë e 508 eurove, konstatoi Auditori i Përgjithshëm në raportin e auditimit për këtë ndërmarrje.

Reklama e sponzorizuar

Mospërcaktimi i tarifave dhe lidhja e kontratave për shërbime pa ndonjë vlerësim paraprak të kostos së shërbimit, për ZKA-në nxit rrezikun për ofrim të shërbimeve nën koston e shërbimit, gjë që ndikon drejtpërdrejt në të hyrat e kësaj ndërmarrje.

“Kompania kishte lidhur kontrata me dy klientë për kryerjen e shërbimeve. Megjithatë, çmimi i shërbimeve i përcaktuar në këto kontrata nuk ishte i bazuar në ndonjë tarifore të miratuar nga Bordi. Kjo për shkak se, Bordi i Drejtorëve nuk kishte nxjerr një tarifore në të cilën do të përcaktohen tarifat me rastin e kryerjes së shërbimeve. Shërbimet e ofruara gjatë vitit 2020 ishin në vlerë 7,508€”, thuhet në raport.

Sipas konfirmimeve zyrtare nga Hortikultura dhënë për ZKA-në, Kompania kishte krijuar një komision i cili kishte bërë vlerësimin e kostove të shërbimeve dhe kishte propozuar tarifat për to, megjithatë, një vendim i tillë nuk ishte miratuar fare nga Bordi i Drejtorëve.

“Neni 5.4 i Statutit të Kompanisë ndër të tjera përcakton se Bordi i Drejtorëve vendos për çmimin e shërbimeve që kryen Kompania:, vazhdon raporti.

Auditori i rekomandon Bordit të Drejtorëve të Hortikulturës, të bëjnë një analizë paraprake lidhur me kostot e shërbimeve dhe më pas të përcaktojë tarifat për shërbimet që i ofron Kompania.

Ndërkohë të hyrat e realizuara nga Hortikultura më 2020 ishin në vlerë të 1 milion e 457 mijë e 597 euro. Ato kanë të bëjnë me të hyrat nga shërbimet për Komunën e Prishtinës, të hyrat nga shërbimi i varrezave, të hyra për shërbime tjera si dhe të hyrat e pranuara si subvencion nga Komuna e Prishtinës. /Buletini Ekonomik/