Çmimet e rritura në fabrikat e Kinës shtojnë frikërat e inflacionit global

Eric Zhu, një menaxher ndërkombëtar i shitjeve në një fabrikë në Kinë ku prodhohen makineri pirun ngritës, u ka dërguar për herë të dytë letër klientëve të tij, duke u shpjeguar se çmimet po rriten.

“Ne duhet të ndajmë disa nga rritjet e çmimeve me partnerët tanë. Ne nuk mund t’i përballojmë të gjitha vetë”, thotë ai.

“Bota është çmendur tani”. Edhe pse kjo nuk është terminologjia standarde që përdoret në ekonomi, çmenduria është mbiemri i duhur për të përshkruar lëvizjet e çmimeve që po ndodhin aktualisht në tregjet globale.  Inflacioni në Amerikë po shënon nivelet më të larta që prej 2008. Çmimet e energjisë dhe mallrave janë rritur gjithashtu.

Reklama e sponzorizuar

Është e lehtë të kuptohet pse njerëzit janë të shqetësuar. Më 9 qershor, Kina raportoi se çmimet e në fabrika u rritën me një normë vjetore prej 9% në maj, njëkohësisht edhe niveli më i lartë në më shumë se një dekadë. Kjo, së bashku me kostot e larta të transportit dhe një yuan më të fortë, ndoshta do të rrisin çmimet e mallrave të prodhuara në Kinë. Importet kineze në Amerikë janë rritur me 2.1% më shumë se në prill, krahasuar me ato të një viti më parë, njëkohësisht edhe rritja më e shpejtë që nga viti 2012 (shih grafikun).

Megjithatë, rreziku i inflacionit të eksportuar nga Kina mund të mbivlerësohet. Vetëm një pjesë e rritjes së çmimeve tek prodhuesit kinezë mund t’i atribuohet Kinës në mënyrë direkte. Rimëkëmbja e saj e fortë ekonomike erdhi si pasojë e investimeve në shtëpi dhe infrastrukturë, të cilat rritën çmimin e çelikut. Në mënyrë që të përmbushë objektivat e ekonomisë së gjelbër, qeveria ka ndaluar si prodhimin e qymyrit ashtu edhe të çelikut.

Kërkesa globale për mallra të konsumit, gjëra që mund t’i blinit online ndërsa qëndronit të mbyllur në shtëpi si pasojë e pandemisë, u rrit gjatë vitit të kaluar.

Eksportet kineze janë rreth 20% më të larta se trendi i tyre para-pandemisë dhe fabrikat janë përpjekur që të realizojnë të gjitha porositë. Ndërprerjet në furnizimet globale të mallrave, të tilla si bllokimet që kufizuan minierat e bakrit në Kili dhe Peru, kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e çmimeve.

Krahasuar me fundin e vitit 2019, përpara se covid-19 të përhapej në të gjithë botën, çmimet e në fabrika në Kinë janë rritur me gati 6%. Por një indeks që mat koston e mallrave të konsumit të prodhuara në Kinë u rrit me vetëm 0.6%. Prandaj kompanive u është dashur të përballojnë këtë situatë me marzhe fitimi më të ulëta. Nuk është çudi që z. Zhu dëshiron të ndajë “dhimbjen e tij” me klientët.

Për më tepër, mjediset e politikave në Kinë dhe Amerikë janë shumë të ndryshme. Ndryshe nga lehtësimi dramatik monetar i Rezervës Federale, Banka Popullore e Kinës ka qenë shumë më konservatore. Në mënyrë shumë të kujdesshme, ajo ka filluar të pakësojë masat e saj të mbështetjes. Ky mund të jetë një faktor ndikues në divergjencën midis trajektoreve të inflacionit të dy vendeve.

Në Amerikë, indeksi bazë i çmimit të konsumit, duke përjashtuar ushqimin dhe energjinë, u rrit me 3.1% nga viti në vit në prill, njëkohësisht edhe niveli më i lartë që nga viti 1992. Në Kinë, indeksi bazë i çmimit të konsumit u rrit me vetëm 0.9% nga viti në vit në maj.

Banka qendrore mund të falënderojë gjithashtu fermerët për ndihmesën e dhënë në stabilizimin e inflacionit.

Në fillimin e viteve 2000, pagat e ulëta në Kinë ndikuan që mallrat e konsumit të ishin me kosto të lirë në të gjithë botën. Sipas kësaj, tkurrja e ofertës së punës dhe rritja e pagave në Kinë duhet të kenë efektin e kundërt. Megjithatë, kjo nuk është plotësisht e qartë.

Megjithatë, tani për tani, pyetja më e rëndësishme është nëse inflacioni i çmimit të inputeve të Kinës do të jetë kalimtar apo i qëndrueshëm. Përgjigja për një pyetje të tillë mund të merret  jashtë Kinës. Teksa jeta po i rikthehet dalëngadalë normalitetit të saj, si në Amerikë, ashtu edhe në Europë, njerëzit me shumë mundësi do të shpenzojnë më shumë në shërbime të tilla si turizmi apo kulinaria, jo vetëm për mallrat e blera në internet./The Economist/