Çka nuk duhet të mungojë në një zyre?

Është vërtetuar shkencërisht se vendet e punës me dritare të hapura ku hyn drita e diellit dhe ajri i pastër mund të ndikojnë në rritjen e produktivitetit dhe përqendrimit të punonjësve.

Ata që punojnë në zyra pa dritare, ose pa një pamje të këndshme, përfundojnë duke marrë më shumë raporte mjekwsore, deri në 6.5% më shumë sesa ata që punojnë në zyra që kanë dritare, nga të cilat mund të shikohet natyra.

Në këtë kohë pandemie që po jetojmë, shtëpitë tona janë shndërruar gjithashtu në zyrat tona. Por çfarë ndodh kur jeni të detyruar të punoni në bodrum, ose dritaret e apartamentit tuaj kanë përballë një mur me tulla? Si mund të përpiqeni që produktiviteti juaj të mos ulet nëse kushtet ku punoni nuk janë ideale?

Reklama e sponzorizuar

Është e thjeshtë: sillni natyrën te ju. Një studim në Revistën e Hortikulturës së Mjedisit (Journal of Environmental Horticulture) të vitit 2019 tregoi se si bimët në shtëpi jo vetëm që mund t’ju ulin nivelin e stresit, por mund t’ju bëjnë edhe më produktiv.
A mundet që një bimë t’ju heqë vërtet stresin?

“Kur u pyetën për ndikimin që kanë bimët në vendin e punës”, një raport i vitit 2015 tregoi se, “97% e punonjësve do të dëshironin të kishin më shumë bimë, sepse sipas tyre ato të krijonin një ndjesi çlodhjeje”. Punonjësit gjithashtu raportuan se bimët kanë tendencë ta bëjnë mjedisin e zyrës që të mos duket aq i zymtë dhe më e rëndësishmja ato e bëjnë atë që t’i ngjasojë më shumë ambienteve të shtëpisë.

Studimet tregojnë se natyra ka ndikim shumë të madh te njerëzit, dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mjedise si zyrat apo shtëpitë, por mbi të gjitha për spitalet dhe burgjet. Lehtësimi i simptomave përfshin “reduktimin e ankthit, uljen e rrahjeve të zemrës, rigjenerimin e lëkurës, nivele më të ulëta të kortizolit dhe ndryshime pozitive në aktivitetin nervor”, të gjitha nga të qenët i rrethuar nga një mjedis më i gjelbër.

 

Si e rrisin bimët produktivitetin?

Nëse ndiheni më pak të stresuar, ju në mënyrë të natyrshme mund të jeni më produktiv. Sidoqoftë, ka karakteristika të veçanta të bimëve që ndikojnë në rritjen e kreativitetit, ju bëjnë të ndiheni më të gjallë, të keni më shumë motivim dhe një kujtesë më të fortë.
Vetitë më terapeutike të bimëve variojnë nga ato fiziologjike te psikologjike, të gjitha të provuara shkencërisht.

Sidomos gjatë një pandemie, edhe përmirësimi më i vogël i shëndetit fizik mund të qetësojë panikun, dhe kjo është diçka që bimët mund ta bëjnë. Siç tregon studimi, “lagështia e lëshuar në ajër nga bimët” ndihmon në rritjen e lagështisë dhe çlirimin e oksigjenit, gjithashtu “zvogëlon dhembjet e kokës dhe përmirëson përqendrimin”.

Gjelbërimi në mjediset e brendshme ka treguar se rrit përqendrimin dhe ndikon që punonjësit të përfundojnë detyrat rreth 19% më shpejt sesa kolegët e tyre, dhe kjo vetëm falë bimëve.

Disa kompani në Mbretërinë e Bashkuar dhe Holandë e vunë në praktikë një gjë të tillë dhe zbuluan se ajo ndikoi në një rritje prej 15% të produktivitetit të punonjësve, dhe disa madje pohuan se ishim më të lumtur kur bimët ndodheshin në vende lehtësisht të dukshme të mjediseve të zyrave.

Këshilla për fillestarët

Nëse pasi të lexoni këtë artikull do të dëshironi të keni sa më shumë bimë në ambientet që ju rrethojnë dhe do të vraponi për t’i blerë ato, është plotësisht e kuptueshme. Por mos harroni se bimët janë të gjalla, marrin frymë dhe kujdesi për disa lloje mund të jetë shumë i lehtë si p.sh. për një kaktus tryeze dhe shumë i vështirë për disa të tjera si në rastin e orkidesë Habenaria.

Një tjetër gjë për t’u marrë parasysh është sipërfaqja që ju e keni në shtëpi, të cilën e keni shndërruar në zyrën e punës.
Drita, nxehtësia, lagështia janë të gjitha gjërat që bima juaj mund të ketë nevojë, por që zyrës suaj mund t’i mungojnë. Për të qenë të sigurt në zgjedhjen që do të bëni, këshillohet që të merrni ato bimë të cilat kanë më pak nevojë për përkujdesje dhe mbi të gjitha që mund t’i përshtaten kushteve të një apartamenti. /The Ladders/ /Monitor.al/