Nëntë prona të Postës së Kosovës uzurpohen nga operatori postar i Serbisë

0
51

Nëntë prona me vlerë neto në libra të kontabilitetit prej 199 mijë e 600 euro të Postës së Kosovës, janë uzurpuar nga operatori publik postar i Serbisë, në të cilat Posta e Kosovës ka humbur kontrollin ligjor mbi to.

Rrjedhimisht, Posta e Kosovës tanimë nuk mund të realizojë as përfitime ekonomike nga to, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas raportit më të fundit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për pasqyrat financiare të Postës së Kosovës për vitin 2020, kompania këto prona i kishte të regjistruara në sistemin e kontabilitetit si joaktive për të cilat nuk kishte aplikuar shpenzimet e zhvlerësimit për vitin 2020, mirëpo kishte shkaktuar mbivlerësim të vlerës neto në libra të pasurive fikse për shumën prej 199,600 euro.

Reklama e sponzorizuar

“Sipas Raportit nga Vlerësuesi i Pavarur dhe informatave të ofruara nga zyrtarët e PK-së, nëntë prona me vlerë neto në libra prej 199,600€, janë të uzurpuara nga operatori publik postar i Serbisë, mbi të cilat Posta e Kosovës sh.a., nuk ka kontrollë dhe nuk realizon përfitime ekonomike nga këto prona”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ndërmarrja publike “Posta e Kosovës”, sipas Auditorit e kishte konsideruar si rrezik të humbjes së gjurmëve të pasurive nëse nuk i mbajnë edhe më tutje në regjistrin e pasurive fikse këto prona.

Në këtë rast, regjistri i pasurive fikse ishte mbivlerësuar për 199,060 euro, sa ishte vlera neto në libra për pronat e uzurpuara.

ZKA-ja i rekomandon Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës që të sigurohen se janë marrë veprime korrigjuese në lidhje me ndryshimet e nevojshme në regjistrin e pasurisë sipas gjendjes faktike dhe ligjore të konstatuar. Për më tepër, Posta duhet që të sigurojë edhe zbatimin e rregullt të harmonizimeve në mes të raporteve të komisionit për inventarizim, përditësimeve të kontesteve nga zyra ligjore me regjistrin e pasurisë në kontabilitet, si dhe informatat e detajuara lidhur me pronat e uzurpuara të shpalosen në pasqyrën e shënimeve shpjeguese, shpjegon tutje Auditori i Përgjithshëm.

Ndryshe, Auditori në raportin e auditimit për këtë ndërmarrje shton edhe se Korniza Konceptuale shërben për të përcaktuar konceptet bazë që duhet të mbahen parasysh për përgatitjen dhe paraqitjen e pasqyrave financiare për përdoruesit e jashtëm, siç është ky rast.

Sipas kësaj kornize, Auditori thotë se një pasuri është një burim i kontrolluar nga njësia ekonomike si rezultat i ngjarjeve të shkuara dhe nga të cilat priten të hyjnë përfitime të ardhshme në njësi. Pra, bazë e përcaktimit të pasurisë është kontrolli mbi të, i cili nuk kuptohet si kontroll ligjor apo titull pronësie ligjore mbi pasurinë, por si kontroll ekonomik mbi të. /Buletini Ekonomik/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here