Gërxhaliu për rishikimin e Ligjit për Rimëkëmbje: Të mos jenë përfituese vetëm bizneset e mëdha

Qeveria Kurti ka paralajmëruar se do ta rishikon Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi që sipas tyre po konsiderohet i mangët.

Mirëpo sipas ish-kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu edhe nëse do të ketë rishikim duhet që mos të jetë i targetuar vetëm një sektor.

Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online thotë se në bazë të rishikimeve nuk duhet të ndodhë që të jenë përfituese vetëm bizneset e mëdha, derisa ka shtuar se për dorën e shtetit kanë nevojë bizneset e vogla, të mesme si dhe të mendohet për bizneset e grave.

Reklama e sponzorizuar

“Duhet të ketë një identifikim që mos të jetë vetëm një sektori i targetuar, duhet të ketë një qasje më gjithëpërfshirëse, sepse nuk e kam guximin profesional që ta veçoj një sektor më pak apo më shumë dhe në këtë drejtim nuk duhet që të jenë përfitues vetëm bizneset e mëdha, duhet të mendohet për bizneset e vogla të mesme, duhet të mendohet në bizneset e grave dhe të kemi motivim për bizneset e reja, është momenti ku në këtë drejtim të ketë më tepër depolitizim”.

Gërxhaliu tutje ka potencuar se Kosova ka ngecur sa i përket zbatimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Ai e sheh të mirëseardhur një pako të re gjithëpërfshirëse dhe jo selektive, raporton EO.

“Nëse bëhet një analizë e thukët e vendeve të rajonit Kosova ka ngec shumë sa i përket Ligjit të Rimëkëmbjes, dhe nëse analizoni në Mal të Zi ata kanë ndarë më tepër se 1 miliardë e 300 mijë euro, Shqipëria më tepër se 3 miliardë euro të destinuara për rimëkëmbje”.

“…Maqedonia e Veriut ka miratuar pakon e gjashtë e cila vërtet ka dhënë efekte pozitive, ndërsa në Kosovë për fat të keq deri tash janë ndarë 268 milionë euro dhe nëse mendohet se Kosova do të ketë rimëkëmbje ekonomike me 268 milionë euro në një periudhë kohore për 1 vjet e gjysmë është utopike, prandaj duhet të mendohet fare mirë një qasje e re që do të jetë pro bizneseve dhe në këtë drejtim çdo hap apo iniciativë për një pako të re për rimëkëmbje konkrete, jo selektive dhe gjithë përfshirëse do të jetë e mirëseardhur”.