Anëtarët e Bordit në Bifurkacion shpërblyen veten me bonuse jashtëligjshëm

1
44

Pesë anëtarët e Bordit të Drejtorëve në ndërmarrjen publike “Bifurkacioni”, gjatë 2020-s u kompensuan me hic më pak se 4 mijë e 730 euro, përpos pagës bazë, për 11 muaj rresht, në kundërshtim të plotë me Ligjin për ndërmarrjet publike.

Ata u kompensuan me paga shtesë në baza mujore për 11 muaj, në emër të komisionit të ashtuquajtur për Hulumtim dhe Zhvillim, komision ky që nuk parashihej të kompensohej fare me asnjë vendim apo rregullore.

Auditori i Përgjithshëm në raportin e tij për vitin 2020 rreth kësaj ndërmarrje, ka vënë në pah se pagat shtesë për Bordin e Drejtorëve të Bifurkacionit, janë në kundërshtim me Ligjin për ndërrmarrjet publike dhe në kundërshtim të plotë edhe me vendimin e Qeverisë 07/81 të datës 23.03.2016.

Reklama e sponzorizuar

“Gjatë vitit 2020, Bordi i Drejtorëve në përbërje prej pesë (5) anëtarëve ishte kompensuar me pagë shtesë në baza mujore për 11 muaj në emër të komisionit të ashtuquajtur për Hulumtim dhe Zhvillim, në vlerën totale prej 4,730€. Ky kompensim nuk është në pajtim me vendimin e Qeverisë dhe me Ligjin për Ndërmarrjet Publike”, thuhet në raport.

Vendimi i Qeverisë i lartëpërmendur, për kategorizimin dhe lartësinë e kompensimit të anëtarëve të bordeve, parasheh vetëm kompensimet e rregullta për Bordin e Drejtorëve e Komisionin e Auditimit, mirëpo jo edhe kompensime tjera për komisione sikur ky për Hulumtim dhe Zhvillim, shpjegohet tutje nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Sipas rregullores për Ndërmarrjet Publike, ndërmarrja në fjalë është përgjegjëse për pagimin e të gjithë kompensimit për drejtorët e saj vetëm nga pagesat e parapara me Vendimin e Aksionarit, dhe drejtorët e saj nuk do të marrin asnjë kompensim ose përfitim tjetër nga ndërmarrja.

Sipas Auditorit, lartësia dhe mënyra e tillë e kompensimit ka qenë praktikë e përcjellë që nga bordet e mëparshme, duke u bazuar në vlerën e kompensimit që parasheh Vendimi i Qeverisë 07/81 të datës 23.03.2016 për Komitetin e Auditimit.

Në anën tjetër, pagesat ndaj anëtarëve të Bordit për punë në komisione tjera, përveç që nuk ishin në pajtim me vendimin e aksionarit dhe me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, ato rrjedhimisht kanë rezultuar edhe në dëmtim të buxhetit të kompanisë, konstaton raporti.

ZKA-ja i rekomandon Bordit të Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, të sigurohen që kompensimet e anëtarëve të Bordit të bëhen vetëm në përputhje me vendimet në fuqi të Aksionarit, respektivisht sipas vendimit të Qeverisë për kompensimet e bordeve të Ndërmarrjeve Publike. /Buletini Ekonomik/

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here