240 mijë euro investime rrezikon t’i humb Gërmia nga mos ndërtimi i “Parkut të aventurave”

Fitore Bajraktari nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka thënë se projekti i Komunës së Prishtinës për ndërtimin e ‘Parkut të aventurave’ në Gërmi, ka shkelje ligjore.

Ajo tutje tha se për projektin në fjalë nuk ka pasur debat publik ashtu siç e kërkojnë Ligji për Mbrojtjen në Mjedis, ai për Vlerësim të Ndikimit në Mjedis, si dhe Ligji për Mbrojtjen e Natyrës.

“Po ashtu, pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje për natyrën ku jetojnë, për ambientin, është e drejtë kushtetuese, e për këtë kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ku ka vlerësuar rrethanat që kanë qenë të ngjashme me rastin tonë dhe ka vendosur që pamundësia që qytetarët të dëgjohen për ambientin ku ata jetojnë, paraqet shkelje kushtetuese”, ka thënë Bajraktari në emisionin “Kallxo Përnime”.

Reklama e sponzorizuar

Tutje, ajo ka thënë se Komuna e Prishtinës ka zhvilluar disa takime me individë dhe organizata të shoqërisë civile, por sipas saj, nuk ky është debat publik.

“Parku i aventurave” pritet të përfshijë rreth 70 ari me disa sfida që janë të ngritura prej tokës, me shteg të ecjes që parashihet të jetë nga Butovci në drejtim të Gërmisë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se Gërmia është e mbrojtur me ligj dhe nuk ka rrezik që këto punime të dëmtojnë natyrën, Parku “Gërmia” sipas tij bën pjesë në kategorinë e gjashtë, ku futen peizazhet e mbrojtura.

240 mijë euro është shuma e këtij projekti të nënshkruar nga Komuna e Prishtinës në në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Sport-Marketing./Ndërtimi.info/