Projektligji për Gjykatën Komerciale: Sa është i rëndësishëm për komunitetin afarist?

Gjykata Komerciale tash e disa vite është premtuar që do të krijohet. Mirëpo deri më tani nuk ka diçka konkrete për këtë. Ndërsa në planin e Qeverisë së Kosovës për vitin 2021, ndër projektligjet që parashihet të realizohet është edhe ky për krijimin e saj.

Avokati Korab Sejdiu, në një intervistë në emisionin ‘7 Ditë me Panxhën’, ka vlerësuar se zbatimi i këtij Projektligji është shumë i rëndësishëm për komunitetin afarist.

“Me kalimin e projektligjit për krijimin e Gjykatës Komerciale, shtrohet rruga edhe për krijimin e një gjykate tjetër që është shumë e rëndësishme për komunitetin afarist, që është gjykata administrative, departamenti administrativ aktualisht. Ka nevojë që të kemi edhe Gjykatë Administrative, sepse bizneset ballafaqohen me vendime të padrejta në vazhdimësi nga ana e administratës publike”, u shpreh avokati Sejdiu, në një intervistë në emisionin ‘7 Ditë me Panxhën’, në Klan Kosova.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, Sejdiu theksoi se pritja për shqyrtimin e një lënde për bizneset është mesatarisht nga 1 vit e gjysmë deri 3 vite.

“Nëse flasim për gjykatat tona, departamenti ekonomik që operon vetëm në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, është më funksional se departamentet e tjera, dhe ajo pritja fillestare është më e shkurtër sa i përket trajtimit të lëndëve, nuk është 3-4 vite sa është në departamentin e përgjithshëm, por është ndoshta 1 vit e gjysmë, edhe pse kohëve të fundit po fillon të zgjatet pritja”, u shpreh ai.

Sa i përket të bërit biznes në Kosovë në aspektin juridik, avokati Sejdiu, tha se nuk është aspak e lehtë.

“Jo nuk është e lehtë. Natyrisht, si vend me një rini të mirë, relativisht të arsimuar, kemi shumë avantazhe, mirëpo sektori i drejtësisë definitivisht është sikur një ‘plug’ që i vendoset mbrapa afarizmit dhe që nuk e lejon me lëvizë me hovin që e meriton me lëvizë”, përfundoi ai.

Projektligji për Gjykatën Komerciale është një nga 190 projektligjet që Qeveria e Kosovës parasheh t’i realizoj për vitin 2021. Ndryshe, nëse e krahasojmë me vitin paraprak 2020 apo vitin 2019, ka qenë një numër shumë i vogël i ligjeve që kanë kaluar brenda Kuvendit të Kosovës.