Humbjet e Telekomit nga IPTV-ja

0
51

Auditorët e brendshëm të Telekomit kanë konstatuar se në kontratën për shërbimet IPTV me “Tring” nuk ishte përzgjedhur procedura e duhur e prokurimit, si dhe çmimi i dakorduar nuk kishte arsyeshmëri ekonomike të kontratës.

Agon Sinanaj

Telekomi i Kosovës është në mbyllje të një kontrate tre vjeçare me kompaninë “Tring”. Gjatë tri viteve të fundit, Telekomi i ka paguar kompanisë Tring një çmim prej 3.8 euro për abonent, prej 16 mijë e 717 sosh sa i ka aktiv.

Reklama e sponzorizuar

Por, një auditim i brendshëm ka konstatuar se në 3 vitet e ardhshme Telekomi nuk duhet të paguajë më shumë se 1.5 euro për abonent, përndryshe do të humb nga një kontratë e tillë.

Ndërmarrja Publike që është në vështirësi financiare në fillim të këtij viti e ka negociuar serish kontratën me kompaninë Tring.

Burimet e KALLXO.com kanë treguar se është formuar një komision i Auditimit me 16 mars të këtij viti me kërkesë të Bordit, për të audituar procesin e tenderimit dhe negocimit të kontratës së re me Tring.

Auditorët e brendshëm të Telekomit kanë konstatuar se nuk ishte përzgjedhur procedura e duhur e prokurimit, si dhe çmimi i dakorduar nuk kishte arsyeshmëri ekonomike të kontratës.

Auditorët, sipas burimeve të KALLXO.com, kanë konstatuar se me çmimin prej 3.8 eurove për abonentë, Telekomi nuk i mbulon as kostot për blerje të përmbajtjes televizive.

Sipas burimeve, për 35,798 euro nuk mbulohet kostot e kontentit që paguhet Tring, nëse krahasohet diferenca mes çmimit të shërbimeve pa IPTV dhe çmimeve me IPTV që u shitën konsumatorëve fundor të Telekomit.

Sipas auditorëve, humbja e Telekomit mund të jetë edhe më e madhe nëse merren për bazë edhe shpenzimet tjera që ka ndërmarrja për: pajisjet SetuoBox, kabllo, lidhëse, stafi, borxhet e këqija, etj.

Auditorët kanë konstatuar se çmimi prej 3.8 euro për abonent e kalon edhe buxhetin prej 1 milionë e 260 mijë euro, nëse merret numri i konsumatorëve të Telekomit. Sipas kalkulimeve kostoja për 3 vjet mund të arrijë në rreth 2 milionë euro.

Burimet e KALLXO.com kanë thënë se edhe komisioni vlerësues i tenderit, por edhe auditorët kanë konstatuar se një çmim i arsyeshëm për Telekomin do të ishte nëse do të paguheshin 1.5 euro për abonent dhe jo 3.8 euro.

Burimet kanë thënë se kontrata nuk është nënshkruar për shkak se nuk ka dokordim në mes të palëve.

Sipas Menduh Abazit, zëdhënës për Informim në Telekom, të hyrat nga shërbimet e Tring marrin pjesë me vetëm 4 për qind në totalin e të hyrave.

“Të hyrat mesatare nga shërbimet e IPTV janë mbi 1.8 milion euro vjetore dhe përbëjnë 4 për qind të të hyrave të përgjithshme të Telekomit”, thotë Abazi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Tring, por ata nuk kanë pranuar të japin sqarime sa i përket negociatave për mundësinë e vazhdimit të kontratës.

“Do t’ju kontaktojmë më vonë”, ka qenë përgjigja e zyrtarit nga Tring kur është pyetur rreth pyetjeve të dërguara nga Kallxo.com.

12 pyetjet Kryesuesit të Bordit

Kallxo.com ka siguruar edhe letërkëmbimin mes Kryesuesit të Bordit, Shpëtim Dobra dhe u.d. të Kryeshefit, Zeqir Kiqina.

Dobra kërkon nga menaxhmenti dëshmi sesi ka ardhur deri te ky çmim kur është nënshkruar kontrata.

“A është bërë ndonjë hulumtim nga ana e Marketingut (apo njësive adekuate), për koston e ofertave të OE ndaj operatorëve tjerë në vendin tonë apo në Shqipëri, duke përfshirë edhe detajet e ofertave përkatëse? Kjo informatë na duhet për të bërë krahasime – psh a do të ishte më lirë që disa kanale të blehen në tregje të lira, kurse nga Tring t`i kontraktojmë vetëm kanalet e tyre”, thuhet në pyetjen e 12-të të kryesuesit të Bordit. Ndërsa në pyetjen me numër rendor 8, Dobra kërkon sqarime se “a ka kosto tjera përpos kostos prej 3.8 eurove për konsumator”, thuhet në shkresën e dërguar nga kryetari i bordit tek menaxhmentit.

I kontaktuar nga Kallxo.com Dobra nuk ka pranuar ta komentoj letrën e tij drejtuar menaxhmentit të ndërmarrjes.

“Ato janë çështje konfidenciale dhe si të tilla nuk kam të drejtë t’i komentoj. Për çfarëdo informate i drejtoheni Zyrës për Marrëdhënie më Publikun”, ka thënë ai.

Kryesindikalisti i Telekomit Lamih Balaj ka thënë se është i informuar me gjetjet e auditorëve, por ka thënë se duhet sa më shpejtë të gjendet një zgjidhje pasi klientët mund të mbesin pa shërbime.

“Kemi informata rreth çmimeve më të lira që ofron Tring për kompanitë tjera se sa per Telekomin e Kosovës. Ne kërkojmë nga Bordi të merret urgjent me gjetjen e një zgjidhje me çmime të arsyeshme sepse 3.8 euro është i lartë dhe i papranushëm për neve si sindikatë”, ka thënë Balaj.

Kanalet e ofruara nga Tring me shikueshmëri të ulët

Një nga rreziqet që ka veçuar Auditori ishte largimi i televizioneve lokale nga lista e programeve të Telekomit, meqë të njëjtit kanë lidhur marrëveshje me rrjete tjera kabllore.

Auditorët e kishin shqyrtuar edhe procedurën që kishte ndjekur Telekomi për nënshkrimin e kontratës, atë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë.

Sipas Auditorëve kjo procedurë e ka limituar ofertën dhe mundësinë që Telekomi të shqyrtojë edhe opsione tjera, qoftë me kanale më të shikueshme apo më të lira nëse do të praktikonte një tender të hapur.

Burimet e KALLXO.com kanë bërë të ditur se auditorët kanë konstatuar se kontrata aktuale në mes të Tring dhe Telekom e nënshkruar me 17 maj të vitit 2018, me ‘Procedure të Negociuar pa publikim te njoftimit për kontratë’ ka përfunduar me 11 qershor 2021. Por, auditorët kanë thënë se një dispozitë në kontratë thotë se mund të vazhdohet edhe për tre muaj, pra deri më 14.08.2021.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here