Trainkos-i shpërndau bonuse për punëtorët pa miratim të Bordit

0
64

Ndërmarrja publike Trainkos, edhe pse në krizë financiare, shpërndau bonuse për dhjetëra punëtorë gjatë vitit 2020.

Përfitues ishin 88 punëtorë, që dolën në punë gjatë kohës së pandemisë.

E gjithë kjo u bë pa miratimin e bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, me ç’rast të gjithë punëtorët esencial që kishin ndërlidhje me funksionimin e transportit të mallrave kishin përfituar nga 7€ euro bruto për çdo ditë të paraqitjes në punë.

Reklama e sponzorizuar

Në muajin mars të vitit paraprak kishin përfituar bonuse 47 punonjës kurse në muajin prill të 2020-s kishin përfituar edhe 88 punonjës tjerë, me një vlerë totale për dy muaj prej 9 mijë e 746 euro.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, këto bonuse nuk ishin miratuar nga ana e Bordit të drejtorëve siç e kërkon rregullorja mbi pagat dhe kompensimet tjera.

Sipas raportit të fundit për vitin 2020 nga Zyra Kombëtare e Auditimit, dhënia e këtyre bonuseve nga Trainkos-i pa miratim nga Bordi i drejtorëve është në kundërshtim me rregulloren si dhe rrit rrezikun që ky proces të mos jetë i drejtë, e i cili edhe mund të shkaktojë diskriminim dhe pakënaqësi brenda ndërmarrjes, e cila si pasojë e kësaj mund të ketë ndikim në mos realizimin e objektivave.

E në bazë të kësaj, Auditori thotë se mund të krijohen edhe shpenzime të paparashikueshme që mund të rëndojnë gjendjen financiare të ndërmarrjes.

Rekomandimet e auditorit lidhur me këtë çeshtje ishin se bordi i drejtorëve është dashur të sigurojë stimuj të veçantë, të cilët jepen vetëm në bazë të procedurës zyrtare të miratuar nga Bordi, e cila do të duhej të siguronte transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjithë punonjësit e ndërmarrjes.

Ndërkohë që ndërmarrja Trainkos gjatë vitit 2020 kishte pranuar subvencion nga pakoja emergjente me vendim të qeverisë për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 në vlerë prej 600,000 euro.

Nga kjo shumë 500,000 euro ishin dedikuar për të shlyer detyrimet ndaj furnitorëve respektivisht Infrakos sh.a, gjersa pjesa tjetër prej 100,000 euro ishte akorduar për të mbuluar deficitin në shpenzime tjera, respektivisht ishin paguar për: detyrimet e papaguara të kontributeve në paga në vlerë të përbashkët prej 69,080 euro, për shpenzimet e furnizimit me naftë në vlerë prej 30,460 euro, si dhe shpenzime për shpenzime administrative prej 460 euro./Buletini Ekonomik/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here