Pronari që e falimentoi Insigun i pranishëm në Kosovë me kompani tjetër të sigurimit

0
58

Kompania “Insig” është në pronësi të “Eurosig” nga Shqipëria, me pronar Kadri Morinaj. Ky i fundit është i pranishëm në Kosovë edhe me një kompani tjetër të sigurimit. Në BQK nuk kanë pranuar të flasin rreth ‘përshtatshmërisë’ ligjore të aksionarit pas falimentimit të Insig.

Buletini Ekonomik

Në vitin 2019, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ia vuri ‘dryrin’ kompanisë së sigurimit Insig, për shkak të vështirësive financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore për kapital. “Insig” është në pronësi të “Eurosig” nga Shqipëria, me pronar Kadri Morinaj.

Reklama e sponzorizuar

Por, një kompani tjetër e sigurimit me të njëjtin pronar është e pranishme në tregun e sigurimeve në Kosovë. Bëhet fjalë për kompaninë “Eurosig”, e cila në bazë të Qendrës për Regjistrimin e Bizneseve të Shqipërisë, posedon 100 për qind të aksioneve në Insig.

“Eurosig” në vitin 2016 i kishte blerë 100 për qind të aksioneve të “Insig”, e cila ishte po ashtu e pranishme në Kosovë derisa iu revokua licenca.

“Gjatë vitit 2016, kompania e sigurimeve “Insig“ me seli në Tiranë ka shitur 100 për qind të aksioneve të zotëruara nga shteti, duke ndryshuar pronësinë e aksioneve të cilat tani zotërohen ne masën 100 për qind nga shoqëria e sigurimeve “Eurosig “ sh.a me seli në Tiranë, me pronar Kadri Morinaj”, thuhet në ueb faqen zyrtare të “Eurosig”-ut.

Në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) nuk janë përgjigjur nëse falimentimi i Insig e bën të papërshtatshëm ligjërisht aksionarin që të jetë i pranishëm në tregun e sigurimeve me një kompani tjetër të sigurimit.

Neni 24 i Ligjit për Sigurimet përcakton disa kritere mbi ‘përshtatshmërinë’ ligjore të aksionarëve.

“Çdo aksionar kryesor, drejtor, menaxher i lartë si dhe aktuari i siguruesit duhet të përmbushin kërkesat për i përshtatshëm dhe i duhur, në lidhje me pozicionin përkatës dhe kërkohet të aprovohet nga BQK-ja”.

Në Eurosig kanë mohuar ‘lidhjen’ me Insig, degën në Kosovë, në pyetjet që ka dërguar Buletini Ekonomik, rreth përgjegjësisë së aksionarit karshi detyrimeve që dalin nga falimentimi i Insig.

“Në cilësinë e aksionarit/pronarit të shoqërisë Insig – Kosovë ka qenë shoqëria Insig – Tiranë jo Eurosig (për këtë referojuni edhe Qendrës së Regjistrimit të Aksionarëve në Kosovë)”, kanë thënë përmes emailit nga Eurosig, me seli në Tiranë.

Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), aksionar i Insig-ut, dega në Kosovë, është Instituti i Sigurimeve sh.a. Mirëpo, në dokumentet që ndodhen në Qendrën për Regjistrim të Bizneseve të Shqipërisë, si aksionar me 100 për qind të aksioneve në Insig, figuron emri i Eurosig.

Insig la prapa vetes 7.4 milionë euro borxhe

Kompania e sigurimit “Insig” ishte keqmenaxhuar për vite me radhë, duke lënë kështu prapa vetes një mal me borxhe ndaj qytetarëve. Në total 7.4 milionë euro janë detyrimet e “Insig”-ut ndaj tyre, së cilës më 2019 edhe iu vu dryni nga rregullatori i saj – Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Kjo kompani shkoi në falimentim për shkak se e njëjta kishte pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës.

Likuidimi si proces parashihet me Ligjin nr. 05/L-045 për Sigurimet, dhe është veprimi i fundit që e ndërmerr BQK-ja për mbylljen e një subjekti në treg. Para likuidimit, BQK-ja së pari e merr nën administrim kompaninë që ka probleme, por nëse gjendja nuk arrin të përmirësohet, atëherë kompania shkon në likuidim dhe në mbyllje totale. Gjë që kishte ndodhur edhe me kompaninë e sigurimeve INSIG.

Në momentin e falimentimit, rreth 36 mijë qytetarë kishin polica aktive në “Insig”, me një vlerë monetare prej 1.5 milionë euro. Ndërsa numri i dëmeve të patrajtuara që janë kryesisht nëpër gjykata është 2 mijë e 585 sosh me një vlerë monetare prej 6.6 milionë euro.

Komisioni që do ta likuidojë kompaninë, në një analizë që kishte bërë më 2020, rreth aftësisë së kompanisë për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave të palëve, ka gjetur se “Insig”-u nuk ka mjete likuide të mjaftueshme për pagesë.

Nga analiza ka rezultuar se koeficienti i pagesës është në masën 81.14 për qind. Kjo do të thotë që policëmbajtësit dhe të aksidentuarit, do të kompensohen gati për 20 për qind më pak.

Nezir Lokaj, që është përcaktuar si likuidator i kësaj kompanie, pati thënë për Buletinin Ekonomik se janë duke u munduar që shumicën e proceseve me të lehta t’i kryejnë me marrëveshje jashtëgjyqësore, pasi rregullorja me ligj nuk ua lejon të merren njëherë me pagesat më të ulëta para atyre që janë me prioritet më të lartë.

“Ne si zyre e likuidimit jemi në proces duke kryer punën tonë dhe në zbatim të ligjshmërisë. Janë marrë të gjitha masat ligjore për shpejtimin e procesit të likuidimit por nuk varet krejt nga ne sepse shumica e kërkesave ligjore sidomos atyre për dëme janë përmes përfaqësuesve ligjor dhe ne jemi në pritje për arritje të marrëveshjeve jashtëgjyqësore, sepse edhe me ligj dhe rregullore është e përcaktuar prioriteti i pagesave që nuk mund të kalohet në prioritetin e radhës pa u kryer pagesa me prioritet më të lartë”, pati thënë Lokaj.

Lokaj ka konfirmuar me këtë rast se të gjitha policat e sigurimit (Kontratat e sigurimeve) të detyrueshme (M TPL) dhe atyre Vullnetare iu është vazhduar afati edhe për 30 ditë konform Ligjit për Marëdhënie Detyrimore, Neni 944, paragrafi 2, që sipas Lokajt do të thotë se këto polica kanë qenë valide vetëm deri më datë 26/05/2019. Kurse nga data 27/05/2019 janë ndërprerë të gjitha policat. Por te kontratat e sigurimit vullnetar, ai thotë se pjesa e primit të pa shfrytëzuar (UPR) nga qytetarët për këtë periudhë, iu është rikthyer klientëve.

Lokaj po ashtu thotë se portofolio e sigurimeve të detyrueshme për polica aktive përmes marrëveshjes së arritur në mes të Likuidatorit, që është vet ai, dhe drejtorit ekzekutiv të BKS-së, Blerim Pushkollit, tanimë është transferuar në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS), si sigurues pranues të riskut të të gjitha kompanive të sigurimit në vend.

“Numri i dëmeve në fillim të procesit ka qenë 2,585 praktika me vlerë 6,029,743.16 euro. Deri tani janë paguar 1,507 praktika me vlerë 3,574,782.56 euro. Mbeten në proces për pagesë 1,078 praktika me vlerë 2,454,961.10 euro”, kishte thënë Lokaj në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik.

Likuidatori Lokaj kishte konfirmuar se kompania në momentin e falimentimit dhe revokimit të licencës nga ana e BQK-së, nuk kishte mjete të mjaftushme likuide për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave, dhe ka qenë insolvente, sipas termave bankar.

Detyrimet e Insig me të mëdha se asetet

Detyrimet e Insig-ut kanë qenë më të mëdha se Asetet e kompanisë përgjatë një periudhe kohore, dhe kështu kompania kishte pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese (solvencës).

Sipas likuidatorit Lokaj,  nga ana e BQK-së janë lëshuar vendime në kuptim të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative.

“Të gjitha kërkesat e ushtruara tek zyra e likuidatorit brenda afateve të përcaktuara me Ligj nga komisioni i likuidimit janë shqyrtuar dhe trajtuar konform nenit 107 të këtij Ligji, dhe në respekt të prioritetit të pagesës së tyre dhe deri tani kërkesat ligjore të papaguara të prioritetit 2.3 janë arritur marrëveshje jashtëgjyqësore dhe janë paguar në masën prej 65% dhe jemi në proces për pjesën e mbetur”, ka thënë ai.

Ndërkohë, sipas raportit të 2020-s nga ky likuidator, pasi të jetë bërë shitja e pasurisë së siguruesit, likuidatori i paraqet një raport përmbledhës BQK-së, i cili duhet të përfshijë bilancin e gjendjes, pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, si dhe burimet e të ardhurave që janë përdorur gjatë procesit të likuidimit.

“Raporti gjithashtu duhet të përmbaj të dhëna për kërkesat e paguara dhe kërkesat e papaguara nëse ekzistojnë. Raporti nga ky paragraf duhet të mbahet në dosjen e siguruesit të likuiduar në BQK. Pas miratimit nga BQK-ja të raportit sipas paragrafit 1 të këtij neni, BQK-ja dhe likuidatori lirohen nga çfarëdo përgjegjësie tjetër në lidhje me likuidimin e siguruesit”, kishte shpjeguar Lokaj. /Buletini Ekonomik/

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here