S’ia pagoi borxhin, kompania turke e lë në terr një të katërtën e Libanit

Një kompani e energjisë, përgjegjëse për rreth një të katërtën e furnizimit me rrymë në Liban, i ka fikur gjeneratorët për shkak të borxhit të madh që thotë se ia ka ky shtet.

Kompania “Karpowership”, thotë se Libani i ka borxh mbi 100 milionë dollarë dhe se nuk është paguar që 18 muaj, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Libani ndodhet në një krizë të madhe politike dhe ekonomike dhe tashmë përballet me reduktime të vazhdueshme të energjisë elektrike. Për këtë arsye, shumë njerëz po varen nga gjeneratorët privatë.

Reklama e sponzorizuar

Ky shtet ka mbetur pa qeveri të rregull që nëntë muaj, pasi qeveria e kaluar dha dorëheqje shkaku i shpërthimit shkatërrues në portin e Bejrutit në gusht të vitit të kaluar, shkruan BBC.

Kompania turke, që prodhon energji përmes anijeve speciale, raportohet se e ndali furnizimin me rrymë në orën 8 të mëngjesit sipas kohës lokale.

“Për 18 muaj, kemi qenë jashtëzakonisht fleksibil me shtetin, vazhdimisht duke ofruar furnizim me energji pa pagesë apo pa plan për pagesë, sepse vendi tashmë ishte duke u përballur me kohëra shumë të vështira. Megjithatë, asnjë kompani nuk mund të operojë në një mjedis me një rrezik të këtillë të drejtpërdrejtë dhe të tepruar”, thuhet në deklaratën e kësaj kompanie.