Pagat në Telekom janë ekzekutuar sot, ATK kërcënon kompaninë me mbyllje të llogarisë bankare për borxhe

Gjendja e rëndë financiare në Telekomin e Kosovës vazhdon të thellohet edhe më tej. Këtë kompani publike është duke e ‘kërcënuar’ Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për bllokimin e llogarive bankare, për shkak të mos shlyerjes së obligimeve ndaj ATK-së.

Telekomi sot me shumë vështirësi ka ekzekutuar pjesën e dytë të pagës së muajit prill për punëtorët e saj, raporton KosovaPress.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj për KosovaPress, i cili tha se pavarësisht realizimit të pagave, gjendja në këtë kompani vazhdon të jetë e rënduar, pasi sipas tij, nuk po arrijnë t’i shlyejnë as borxhet ndaj ATK-së.

Reklama e sponzorizuar

Balaj thotë se duhet të japin përgjegjësi ata që i kanë krijuar borxhet dhe që nuk i kanë paguar.

“Sa i përket pagave ka vështirësi, pagat për muajin prill kanë dalë sot. Tash më është konfirmuar që kanë dalë pagat e pjesës së mbetur të muajit prill. Ndërsa, sa i përket gjendjes në Telekom, ajo është jashtëzakonisht e rëndë. Nuk ka ndonjë ndryshim, përveç thellim të gjendjes edhe më keq, për shkak se Telekomi ka borxhe të mëdha, të cilat janë akumuluar edhe më herët. Kjo gjendje është e po tolerueshme, tash jemi të kërcënuar edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës, e cila po na kërcënon për bllokim të llogarisë bankare pasi nuk janë paguar obligimet ndaj ATK-së”, tha Balaj.

Kriza në këtë ndërmarrje publike është thelluar pas ndërhyrjes së përmbaruesit të autorizuar nga kompania “Dardafon”. ATK edhe vitin e kaluar kishte bllokuar llogaritë bankare të kësaj kompanie.