Ilir Murtezaj rikthehet në krye të ATK-së pas dy shkarkimeve

Ilir Murtezaj është rikthyer sërish në pozitën e drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur vet Administrata Tatimore e Kosovës përmes një komunikate të lëshuar për media sot.

Komunikata e ATK-së njofton se Murtezaj ka mbajtur takim me menaxhmentin e lartë, në të cilin u diskutuan aktivitetet në vijim, planet dhe objektivat e ATK-së për këtë vit.

“Bazuar në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës , i cili ka konstatuar se shkarkimi i drejtorit Murtezaj ka qenë i kundërligjshëm, andaj Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në zbatimin të vendimit të KPMSHCK me datë 17 maj 2021, ka marrë vendim për kthim të menjëhershëm të Ilir Murtezajt në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë takimit të mbajtur me menaxhmentin e lartë, drejtori i riemëruar, Murtezaj, ka thënë se do të vazhdojnë që të punojnë me përkushtim aty ku e kanë lënë.

“Prioritetet dhe objektivat e ATK-së do të kenë jetësim, nëse secili prej nesh do të punoj me profesionalizëm dhe dinjitet. Po ashtu, ai tha se jemi dëshmitar që ATK sikurse çdo institucion tjetër është duke u përballur me pasojat e pandemisë COVID 19, mirëpo, theksoj se ne jemi ata që mund të ri-marrim prapë proceset të cilat janë dëmtuar”, ka thënë ai.

Ndryshe, Murtezaj ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Atk-së më 16 tetor të 2020-s në kohën e qeverisjes së Hotit, me arsyetimin se ishin evidentuar shkelje ligjore. Murtezaj ishte rikthyer në punë përsëri më 8 janar pas një ankese, për t’u suspenduar sërish pas tri dite.