Kurti: Do të investojmë në ekonomi që të zgjerojmë klasën e mesme

Kryeministri Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka prezantuar Programin e tij Qeverisës 2021-2025, të miratuar ditë më parë në njërën nga mbledhjet e Qeverisë.

Kurti para deputetëve tha se prioritet do të jetë menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike.

“Do të investojmë në ekonomi që të zgjerojmë klasën e mesme, të nxis rritjen ekonomike dhe të sigurojë jetesë të dinjitetshme për të gjithë. Për të dal në një sistem ekonomik që është i orientuar në import dhe i varur nga punësimi publik, duhet në investojmë, në edukim, trajnim dhe teknologji, energji e infrastrukturë të cilat krijojnë vende të reja të punës dhe nisin prodhimtarinë. Për të gjitha këto janë të nevojshme dy reforma thelbësore. Reforma e prokurimit dhe administratës publike”, tha Kurti, shkruan Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Për sa i përket energjisë elektrike, ai thotë se pjesë të termocentralit “Kosova A” do të dekomisionohen.

“Rritja e prodhimit kërkon energji të qëndrueshme, e të pandërprerë e cila e ndjek hovin e zhvillimit ekonomik. Pjesë të termocentralit ‘Kosova A’ do të dekomisionohen, kurse investimet në ‘Kosova B’ do të bëhen asisoj që të mos rrezikohet furnizimi me energji elektrike gjatë tranzicionit”, tregon ai.

Kurti thotë se për mërgatën do të emetohen letra me vlerë.

“Do të sigurohemi që kapitali i mërgatës tonë të kapitalizohet në investime që krijojnë vende pune, prandaj duke filluar nga viti i parë, do të emetohen Bono të Thesarit, të dedikuara për mërgatën”, thotë Kurti, përcjell Telegrafi.

Kryeministri shprehet se do të krijohet Fondi Sovran dhe Banka Zhvillimore.

“Pasuria jonë do të sigurohet përmes krijimit të Fondit Sovran, i cili do t’i merr në pronësi asetet publike për të mundësuar investime nga jashtë dhe qasje në tregje të huaja, e sidomos sjellje të investimeve për zhvillim sidomos të Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Në kuadër të mbështetjes së bizneseve do të themelojmë Bankën Zhvillimore. Ajo do të jetë një mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Do të jetë komponentit kreditues që do të jetë nga paraja publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të ndryshme të industrisë që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar. Do të themelojmë Fondin për Ndërmarrësit e Rinj dhe do të alokojmë 2 mijë grante në vit, sepse nuk ka asnjë arsye se pse shpikjet e reja sidomos në TIK të mos ndodhin në Kosovë”, shprehet ai.

Sipas Kurti, Agjencia Kosovare për Privatizim do të shuhet.

“Agjencinë Kosovare për Privatizim do ta shuajmë dhe do ta transferojmë në një agjenci brenda Qeverisë. Do të krijojmë Agjencinë Zhvillimore për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

Ai tha se bujqëia do të merr vëmendjen që i takon.

“Bujqësia do ta merr vëmendjen që i takon. Kosova ka potencial të madh të zhvillimit, e ky potencial duhet të shfrytëzohet jo vetëm për të prodhuar për nevojat e brendshme por edhe për të eksportuar aty ku kemi përparësi krahasuese. Shteti do të mbrojë prodhuesit vendor përmes sigurimit të çmimeve minimale përmes produkteve bazike, granteve dhe subvencioneve të cilat ndihmojnë që bujqësia të kthehet në sektor profitabil”, tha ai.

Në fund, Kurti tregoi se projektet infrastrukturore do të përfundojnë.

“Projektet infrastrukturore të lëna në gjysmë do t’i përfundojmë, kurse ato të rejat do t’i zhvillojmë. Do të përfundojmë ndërtimin e segmentit të autostradës Besi – Merdare dhe autostradës Prishtinë – Gjilan, zgjerimi i rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë – Mitrovicë dhe autoudhën Kijev – Zahaq, do të zbatojmë projektet e reja si zgjerimi i rrugëve nacionale Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren, përfshirë rrugët qarkore, rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël – Shtime – Ferizaj, që lidhet me autostradën Prishtinë – Shkup, si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan – Plavë, Prizren – Tetovë dhe Gjilan – Kumanovë”, përfundoi ai.