Dogana e Kosovës së shpejti nis zhdoganimin e mallrave në Durrës

Nga hapja e pikës kufitare në Durrës, qeveritë e dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, kanë mundësuar eliminimin e vonesave në dërgesat e mallrave që targetohen në portin e Durrësit dhe janë të adresuara për Kosovë. Tash pritet që shumë shpejt të nis edhe zhdoganimi i mallrave në këtë port.

Dogana e Kosovës para dy viteve zyrtarisht kishte hapur zyrën e saj në Portin e Durrësit, marrëveshje kjo në mes Kosovës dhe Shqipërisë, për të lehtësuar tregtinë, lëvizjen e shpejtë të mallrave dhe të pasagjerëve.

Mirëpo, zhdoganimi i mallrave në Portin e Durrësit ende nuk ka nisur. Por ky proces duket se do të filloj së shpejti.

Reklama e sponzorizuar

“Ende nuk kemi filluar me zhdoganim për shkak se ka procedura të ndryshme për financiare të cilat bëhen në rastin e pagesave. Besojmë se shumë shpejt do të arrihet edhe kjo dhe të filloj dhe të kemi një procedurë komplete të zhdoganimit. Jo pse tani nuk është procedurë komplete, sepse e njëjta procedurë e transitit zhvillohet edhe në pikat kufitare si psh, në Han të Elezi. Këto janë çështje të cilat i përkasin institucioneve të larta, Dogana është në aspektin e zbatimit të tyre”, kanë thënë në Doganën e Kosovës.

Zyrtarë të Doganës së Kosovës kanë treguar se nga kjo pikë doganore shfrytëzohet mjaft nga bizneset e Kosovës dhe përfitimet e tyre janë të shumta për dërgesat që i bëjnë në drejtim të Kosovës.

“Tani kompanitë kosovare mund të sjellin mallrat e tyre në Durrës, ato trajtohen dhe marrin trajtim doganimi nga Dogana e Kosovës si transit dhe pastaj vazhdojnë direkt në terminalin e brendshëm doganor në Kosovë. Pra, hallka e doganës së Shqipërisë, kontrolli dhe transiti për mes doganës së Shqipërisë kjo është eliminuar dhe është zhvendosur direkt tek dogana e Kosovës. Kur një dërgesë, e cila është deklaruar në Durrës dhe është për Kosovë, neve automatikisht na vjen lajmërimi që ka dërgesa të cilat do të vijnë në Kosove”.

Në Doganën e Kosovës presin që shumë shpejt të nis edhe zhdoganimi i mallrave në bregdetin shqiptar, ndonëse sipas tij, kjo mbetet në vullnetin e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në Portin e Durrësit gjatë vitit 2019 ishte hapur pika doganore e Kosovës. Ky projekt kishte nisur në vitin 2016.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj zyre kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se ky është hapi i parë i bashkimit të plotë të doganave mes dy vendeve.

“Dogana e Kosovës këtu në Durrës është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Njohja reciproke e sistemeve doganore, e agjentëve doganorë, realizimi i qëllimit të administratës doganore edhe pse ka dy krahë, funksionon si një trup i përbashkët, ma ha mendja se përbën një lajm të rëndësishëm për të gjithë sipërmarrjen. Kjo shpejton lëvizjen e mallrave dhe e kthen kufirin në një kufi formal mes Shqipërisë dhe Kosovës. S’do ketë radhë të gjata më në pikat doganore. Pas bashkimit doganor do kemi edhe bashkimin e tregjeve”.

Sipas statistikave të shkëmbimeve tregtare volumi i importeve të mallrave me origjinë Kosovën për vitin 2018 ka qenë 194 mijë/Ton ose 6 % më shumë se një vit më parë. Ndërsa volumi i mallrave të eksportuara drejt Kosovës gjatë vitit 2018 ka qenë në masën 1,026,270 Ton me një vlerë prej 27,031 mln lekë ose 211 mln Euro.