Banka Qendrore e Kosovës thotë se investimi në kriptovaluta bartë rrezik të lartë

Kriptovalutat
Cryptocurrency (kriptovaluta) ose monedha digjitale është një nga temat shumë “trendi” në botën e ICT, në Kosovë gjatë vitit të fundit.

Expedia dhe Microsoft pranojnë disa kriptovaluta, për produktet dhe shërbimet e tyre, në Kosovë janë disa tregje të automjeteve, dyqane të kompjuterëve dhe biznese tjera të vogla që pranojë monedha digjitale.

Në Kosovë tashmë ka në përdorim edhe bankomat të kriptovalutave

Ata funksionojnë ngjashëm me shërbimet e këmbimit tregtarë, pranojnë para të gatshme në këmbim të kriptovalutave, dhe kriptovaluta në këmbim të parave të gatshme.

Reklama e sponzorizuar

Cryptocurrency është para dixhitale. Funksionon në bazë të algoritmeve kriptografike. Ajo ka të gjitha karakteristikat e një monedhe reale, përveç që autoriteti i shtetit nuk qëndron pas tyre dhe ato ekzistojnë vetëm në formë elektronike.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, kriptovalutat nuk janë të regjistruara lokalisht, dhe nëse ndonjë qytetar humb para, askush nuk garanton kthimin e tyre.

Madje, ky institucion nuk e ka në plan që të merret aktualisht as me hartimin e ndonjë kornize ligjore, që do të mund të fuste në kontroll qarkullimin e kësaj monedhe në Kosovë.

“Qarkullimi i kripto valutave / parave virtuale, nuk është i rregulluar me kornizën ligjore apo rregullative të BQK-së në fuqi. Pasi kripto valutat / paratë virtuale nuk janë të rregulluara, BQK-ja nuk mund të ndaloj qarkullimin e tyre. Gjithashtu, BQK përmes publikimeve të mëhershme ka paraqitur qëndrimin e saj, i cili është në linjë me bankat qendrore të vendeve tjera dhe i cili vazhdon të jetë i njëjtë, se investimi në këto valuta bartë rrezik të lartë për shkak të luhatjeve të mëdha të vlerës së tyre në treg, prandaj personat që investojnë në këto valuta duhet të kenë parasysh se mund të pësojnë humbje të mjeteve të investuara”, ka thënë për lajmi.net, Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së.

Ndryshe, nga shteti i Kosovës, Kuvendi i Shqipërisë më datë 21.05.2020, ka miratuar ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i cili legjitimon kriptomonedhat. Ligji ka hyrë në fuqi në shtator të vitit të kaluar.

Ky ligj rregullon tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.

Ligji rregullon kushtet për licencimin, monitorimin, mbikëqyrjen e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e shpërndarjes, tregtimit e ruajtjes së tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale, të agjentit të tokenëve digjitalë, ofruesit të shërbimeve inovative dhe sipërmarrjes së automatizuar të investimeve kolektive.

Sipas nenit 1 të këtij dokumenti, objekti i këtij ligji është rregullimi i emetimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale, i licencimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e shpërndarjes, tregtimit e ruajtjes së tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale, i agjentit të tokenëve digjitalë, ofruesit të shërbimeve inovative dhe sipërmarrjes së automatizuar të investimeve kolektive.

Aty thuhet se synohet të bëhet rregullimi me ligj, ndalimi në rast abuzimi dhe marrja e penaliteteve në lidhje me aktivitetet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to, duke nënvizuar se rregullimi është variant që po përqafohet në shumë vende si alternativë për kontrollin dhe mbarëvajtjen.

Sa i takon vetëm pastrimit të parave, thuhet se projektligji adreson edhe çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licencë-krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, nëpërmjet hartimit të politikave për parandalimin e pastrimit të parave dhe angazhimit të punonjësve me përvojën e duhur për raportimin e çështjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave.

Deri tani, në Evropë vetëm dy shtete kanë marrë hapa për të zbatuar një legjislacion të caktuar për aktivet virtuale, të cilat nuk mbulohen nga kuadri ekzistues i Bashkimit Evropian.

Kështu, Malta ka në fuqi një ligj për aktivet virtuale, Franca e ka miratuar ligjin në prill të vitit 2019.

Bankat në Kosovë nuk pranojnë këso monedhash.

Cryptocurrency janë në posedim të drejtpërdrejtë të personit në fjalë dhe nuk mbahen nga bankat ose ofruesit e tjerë të shërbimeve financiare. Pronari i tyre ka qasje në kriptovalutat duke përdorur një të ashtuquajtur “çelës privat”, një çelës që pasqyron pronësinë e sasisë së duhur të njësive të kriptovalutave brenda rrjetit.

Baza teknologjike nga burojnë kriptovalutat është e ashtuquajtura bllok zinxhir. Blockchain është një rrjet i decentralizuar i kompjuterëve që janë të ndërlidhur dhe secili ruan të dhëna veç e veç.

Aktualisht në tregun global janë afro 2000 lloj këso monedhash. Në Kosovë, tashmë prodhimi i tyre në masë të madhe po ndodhë në veri të Mitrovicës, meqë në atë pjesë nuk paguhet rryma dhe aparatura për prodhimin e tyre kërkon sasi të madhe të energjisë elektrike.