​Jostabiliteti politik pamundësoi funksionalizimin e Zonës Ekonomike Amerikane

Ndërrimi i shpeshtë i pushtetit ka bërë që Zona e veçantë Ekonomike Amerikane në Gjakovë të mbetet pas dore, ndonëse vendimi për formimin e saj ishte marrë në vitin 2018.

Nga Komuna e Gjakovës dhe nga Oda Ekonomike Amerikane thonë se ishte mungesa e stabilitetit politik shkaktari kryesor i mosfunksionalizimit të kësaj zone.

Ndërsa nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me atë se deri ku ka shkuar procesi i jetësimit të zonës.

Reklama e sponzorizuar

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini thotë se funksionalizimi i kësaj zone është shumë i rëndësishëm jo vetëm për komunën që ai e udhëheq, por për gjithë regjionin.

Gjini thotë se vendimi i vitit 2018 për formimin e kësaj zone do të duhej të pasohej me vendime konkrete nga qeveria e vendit pavarësisht subjektit politik që ishte në ekzekutiv.

“Zona Ekonomike që ka mbet për shkak të ndërrimit të shpeshtë të qeverive është ajo amerikane, e cila në kohën e Qeverisë Haradinaj është shpallur zonë e tillë, është nda prona, ekzistojnë vendime, por nuk është pasuar me vendime konkrete për funksionalizimin e saj. Unë besoj se për cilëndo qeveri kjo është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për Gjakovën, por për krejt regjionin”, thotë Gjini.

Ai thotë se në Gjakovë ka një vibrim të jashtëzakonshëm ekonomik, të cilin po e shohin edhe bizneset e mëdha, e që ka rezultuar me rritje të punësimit dhe të eksportit.

“Ne me siguri do të kemi edhe mini-zona tjera se Zona Ekonomike Amerikane është 500 hektarë, është shumë e madhe. Do të kemi edhe mini-zona tjera, të cilat do ta ndihmojnë biznesin. Por, po e them, ka asete, të cilat kanë mbetur të pashfrytëzuara për 30 vjet, jo veç për 20 vjet mbas luftës, të cilët kanë filluar me e rimarrë veten dhe me u ngjallë, dhe unë jam i lumtur për këtë gjë. Në ATK i gjeni shifrat që për 3 vite, në Gjakovë i kemi diku mbi 1 mijë e 400 biznese të reja aktive, nuk po flasim për biznese pasive, do të thotë biznese që paguajnë taksa”, thekson Gjini.

Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se mosfunksionalizimi i Zonës Ekonomike Amerikane lidhet kryekëput me ndryshimin e shpeshtë të qeverive.

“Tri qeveritë e fundit nuk kanë pasur as edhe një deklarim sa i përket funksionalizimit të ashtuquajturit qytet ekonomik kosovaro-amerikan, respektivisht Zonës së veçantë Ekonomike Amerikane. Është për fatkeqësi sepse ne tashmë kemi një vendim të vlefshëm të Qeverisë së Republikës të Kosovës të vitit 2018, i cili parasheh krijimin e një zone të tillë, në të cilën do të vendoseshin investitorët me kapital amerikan. Kjo është dëshmia më e mirë e mungesës së konsistencës sa i përket qeverisjes ekonomike së paku dhe në përgjithësi. Qeveritë e reja nuk vazhdojnë të zbatojnë vendimet të cilat janë marrë nga qeveritë e kaluara. Në këto tri vitet e fundit besoj çështja lidhet kryekëput me ndryshimin e shpeshtë të qeverive”, thotë Zeka.

OEAK rekomandon zhvillimin e kornizës ligjore, e cila do të mundësonte funksionimin e duhur të zonave të veçanta ekonomike dhe nxitjen e investimeve në ato zona, rrjedhimisht edhe funksionalizimin e qytetit ekonomik kosovar-amerikan.

Lidhur me këtë, Zeka thotë se i kanë dorëzuar qeverisë së Kosovës rekomandimet për nevojën e krijimit dhe funksionalizimit të kësaj zone.

Zvarritja e vendimit për formimin e saj, sipas Zekës mund të zbeh interesimin e investitorëve të huaj potencialë, pasi ka pasur interesim nga ana e tyre përgjatë këtyre viteve.

“Në rekomandimet tona që i kemi dorëzuar qeverisë së re të Republikës të Kosovës, kemi përfshirë pashmangshëm edhe nevojën e krijimit dhe funksionalizimit të Zonës së veçantë ekonomike amerikane, për shkak se e njëjta tashmë është promovuar edhe brenda edhe jashtë vendit. Dhe rëndom kur kemi takime me investitorë potencial amerikanë, kjo është njëra ndër pyetjet e para që na parashtrohet meqenëse ata janë të interesuar të vendosen në një zonë e cila ka një infrastrukturë të gatshme ashtu siç është paraparë për zonën e tillë”, thotë ai.

Zeka thekson se zona ekonomike amerikane mund të gjejë sërish vend në raportin për Kosovën të Departamentit amerikan të Shtetit.

“Departamenti amerikan i Shtetit në raportin e tij të fundit për Kosovën e ka përfshirë dhe e ka përmendur në mënyrë specifike Zonën Ekonomike Amerikane, si një vendim të mirë të Qeverisë të Republikës së Kosovës, pavarësisht në kohën e cilit kryeministër është marrë. Po flasim për një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili ende nuk është zbatuar, që do të thotë që ne mund të presim që e njëjta zonë të gjejë vendin e vet sërish në raportin vitit të ardhshëm”, thekson Zeka.

Jetësimi i Zonës Ekonomike Amerikane, sipas tij, do të pasuronte ofertën e Kosovës para investitorëve amerikanë dhe investitorëve të tjerë të huaj.

Për të ndihmuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në jetësimin e këtij vendimi, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka hartuar një dokument të ndarë lidhur me themelimin, menaxhimin e zonës, dhe lehtësirat që duhen aplikuar brenda saj.

Kjo zonë, që njihet edhe si qyteti ekonomik kosovar-amerikan, ishte paraparë të jetë një zonë e veçantë për tërheqjen e investitorëve amerikanë dhe parashihej të kishte sipërfaqe prej mbi 500 hektarë tokë.