Rritja e çmimeve të materialit ndërtimor ka rritur çmimin e patundshmërive

0
19

Rritja e çmimeve të materialit ndërtimor do të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të patundshmërive në Kosovë. Pronari i Kompanisë “Pozhegu” thotë se nga 950 euro, sa ishte çmimi për metër katror, tani është 1 mijë e 100 euro.

Shoqata e Ndërtuesve të Kosovës ka bërë të ditur për Radio Kosovën se ka rritje të çmimeve të materialeve ndërtimore. Faton Hoxha nga kjo shoqatë tha se çmimet kanë filluar të rriten prej tre mujorit të fundit të vitit të kaluar, sidomos ato të materialeve të plastikës që janë rritur për 50%, ndërsa metalet e tjera gati 100%.

“Kemi rritje të plastikës edhe çimentos në të njëjtën kohë, mirëpo edhe lënda drunore, që është tjetër element kyç në ndërtimtari, është rritur. Të gjitha ato që ne importojmë, kryesisht kanë ngritje të çmimeve.”

Hoxha tha se këto ngritje të çmimeve kanë ndodhur në Bursën Ndërkombëtare, ndërsa ka shtuar se kjo do të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të patundshmërive.

“Ne duhet të blejmë me atë çmim që vijnë produktet. Pritet rritje e çmimit të patundshmërive, se edhe ashtu çmimet krahasuar me rajonin janë të lira duke marrë parasysh edhe çmimin e tokës.”

Reklama e sponzorizuar

Drejtori operativ i kompanisë ndërtuese, Shefqet Pozhegu, tha se rritja e çmimeve të armaturës dhe plastikës kanë ndikuar edhe në rritjen e çmimi të objekteve banesore.

“Kjo ka ndikuar që të rritet çmimi metër katrore të banesës i cili ka qenë 950 dhe tash është bërë 1100 euro. Kjo nuk është që ka ndikuar te ne, konsumatori paguan këtë çmim të rritjes e ndikimi bie drejtpërdrejt të konsumatori”, tha Pozhegu.

Sipas zyrtarëve të kompanive ndërtimore rritje të çmimeve të materialeve ndërtimore ka pasur edhe në periudha të kaluara por ata thonë se gjatë këtij viti ato janë shumë më të theksuara.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here