Amerikanët e pasur i shmangen pagesës së tatimeve prej 175 miliardë dollarësh në vit

Administrata e presidentit Joe Biden po planifikon të financojë pjesën më të madhe të investimeve në infrastrukturën amerikane dhe vendet e punës, duke rritur normën e taksave për të pasurit dhe bizneset.

Ndërkohë, një studim i ri tregon se individët e pasur aktualisht po mënjanojnë tatimet mbi të ardhurat në nivele që kapin shifrën prej 175 miliardë dollarë në vit, duke përdorur skema komplekse të evazionit fiskal. Nga ana tjetër, ekspertët paralajmërojnë se normat e larta të taksimit mund të zbehin edhe më tej përputhshmërinë ndaj ligjeve të taksave.

Nuk ka qenë sekret që çdo vit Shtetet e Bashkuara përballen me një “hendek tatimor” – që është diferenca mes taksave të paguara dhe taksave që duhet të paguhen. Por kur hulumtuesit nga Agjencia amerikane e Taksave (IRS), bashkëpunuan me tre ekonomistë akademikë për të llogaritur shumën e të ardhurave që amerikanët e pasur fshehin nga agjencia e taksimit çdo vit, vlerësimet e tyre i tejkaluan në mënyrë të dallueshme përllogaritjet e mëparshme.

Reklama e sponzorizuar

Studimi i tyre, i botuar nga Byroja Kombëtare për Hulumtime Ekonomike, përdori informacione gjithëpërfshirëse nga të dhënat e IRS, për të treguar se individët që përbëjnë 1 për qind të popullsisë me të ardhurat me të larta, ulin raportimin e të ardhurave me mesatarisht 20 për qind çdo vit.

Evazioni i sofistikuar i taksave

Daniel Reck i Shkollës Londineze të Ekonomisë dhe një nga autorët e studimit tha se, “ekziston një evazion i konsiderueshëm dhe i sofistikuar i taksave mes atyre që kanë të ardhurat më të mëdha. Në veçanti, për shkak se evazioni i sofistikuar i taksave shpesh nuk zbulohet nga kontrollet e rastësishme të përdorura për të matur hendekun tatimor. Kemi vërejtur se kishte evazion më të lartë fiskal sesa sugjeronin vlerësimet tradicionale”.

Shumica e të ardhurave të paraportuara, tregon studimi, ose janë të fshehura në llogari bankare në vende që njihen si parajsa fiskale, ose janë si rezultat i mosraportimit të plotë të të ardhurave nga biznese të veçanta, ku përfitimet taksohen si të ardhura të zakonshme të pronarit.

Një arsye kryesore se pse kaq shumë evazion tatimesh mbetet i pazbuluar është se IRS, nuk është e financuar siç duhet gjatë dekadës së fundit. Kjo ka çuar në një rënie të ndjeshme të numrit të revizioneve financiare që mund të kryejë agjencia, veçanërisht të individëve me të ardhura të larta që kanë prona financiare të ndërlikuara.

Po ashtu ka shumë zona të lira ku taksapaguesit e pasur mund të zbehin vijën ndarëse mes strategjive ligjore të shmangies së taksave dhe evazionit të paligjshëm tatimor.

Për shembull, pronarët e tokave shfrytëzojnë disa rregullore qeveritare për ruajtjen dhe konservimin e disa zonave, që të zhvillojnë biznese që plotësojnë kushtet për të zbritur një pjesë të vlerës së tyre nga taksat për një periudhë 16-vjeçare.

Reck tha se në disa raste, kur këto çështje shkojnë para gjykatës, duhen vite të tëra betejash ligjore që e bëjnë agjencinë e taksave të heqë dorë nga çështja për arsye burimesh monetare.

Debatet në Kongres

Publikimi i studimit mbi shifrën e lartë të parave që nuk mblidhet nga tatimet çdo vit vjen ndërsa Kongresi fillon debatin nëse dhe si do të zbatohet rritja e taksave të propozuara nga administrata e presidentit Biden.

Ai bëri fushatë me premtimin për rritjen e taksave për amerikanët me të ardhurat më të larta, ndërsa siguroi se nuk do të ketë rritje taksash për amerikanët që kanë të ardhura më të pakta se 400 mijë dollarë në vit.

Gjithashtu Biden u zotua të rrisë taksën e të ardhurave për korporatat nga 21 për qind në 28 për qind dhe të vendosë një normë minimale të taksës që korporatat duhet të paguajnë çdo vit, pavarësisht nga zbritjet që mund t’u ofrohen atyre.

Ka shumë ndryshime të mundshme që prekin individët me të ardhura të larta dhe të pasurit. Biden ka propozuar ngritjen e nivelit më të lartë (për individët me të ardhura më të larta) të tatimit nga 37 për qind në 39.6 për qind. Të ardhurat mbi 400 mijë dollarë do të taksohen me normën 12.4 për qind për sigurimet shoqërore, që ndahen mes punonjësit dhe punëdhënësit. Për ata që kanë të ardhura vjetore mbi 1 milion dollarë, dividentët dhe fitimet nga kapitali i investuar do të taksohet me normën e nivelit më të lartë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar me 39.6 për qind. Përllogaritjet paraprake të planit të Biden parashikojnë një rritje prej afërsisht 3.3 trilionë dollarë nga vjelja e taksave gjatë dhjetë viteve.

Gjatë një senace dëgjimore në Komisionin e Senatit për Buxhetin me 25 mars, ligjvënësit dëgjuan vlerësime shumë të ndryshme nga pretendimet, shpesh të përsëritura nga presidenti, se të pasurit nuk paguajnë pjesën e tatimeve që u takon atyre.

Të pasurit amerikanë paguajnë 40 për qind të të gjithë taksës së të ardhurave

Scott A. Hodge, president i Fondacionit të Taksave, një organizatë me prirje konservatore, tha gjatë seancës dëgjimore se amerikanët e pasur aktualisht janë burimi më i madh i të ardhurave nga taksat federale që nga viti 1980.

“Sipas të dhënave të fundit nga IRS për vitin 2018, grupi prej 1 për qind i taksapaguesve (të pasurit e Amerikës) paguan 616 miliardë dollarë në taksa. Kjo do të thotë 40 për qind e të gjitha tatimeve mbi të ardhurat në vend. Kjo shifër është më e larta që nga viti 1980 dhe një pjesë më e madhe e barrës tatimore sesa nga 90 për qind e të gjithë taksapaguesve të marra së bashku”, tha Hodge.

Ai shtoi se, “në mënyrë të ngjashme, në vitin 2018 rreth 0.1 për qind e grupit të popullsisë që janë më të pasurit në vend, paguan 311 miliardë dollarë në tatime mbi të ardhurat. Çfarë do të thotë 20 për qind e të gjitha taksave të paguara në vend, niveli më i lartë që nga viti 2001. Grupi që përbën 0.1 për qind të njerëzve më të pasur në Shtetet e Bashkuara paguan një pjesë më të madhe të barrës tatimore sesa 75 për qind e grupit të popullsisë me të ardhura më të vogla të marra së bashku”. /VoA/