Banka Kombëtare e Zvicrës mbledh kartëmonedhat e vjetra

Valuta e Zvicrës- Franga

Tani e tutje, kartëmonedhat nga seria e vitit 1998 nuk janë më mjet pagese. Por ato e ruajnë vlerën e tyre. Ja se si

Kushdo që ka ruajtur “nën dyshek” kartëmonedha të vjetra si ato me figurën e Alberto Giacometti-it etj., së shpejti nuk do të jetë më në gjendje të blejë me to. Por, kartëmonedhat ruajnë megjithatë vlerën e tyre, shkruan srf.ch.

Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) ka filluar tërheqjen e kartëmonedhave të serisë së 8-të të vitit 1998, transmeton albinfo.ch. Që nga 30 prilli 2021, këto kartëmonedha humbasin statusin e tyre si mjet ligjor dhe nuk mund të përdoren më për qëllime pagese, njoftohet nga SNB.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, për shkak të anulimit të periudhës së shkëmbimit, që ishte bërë më 1 janar 2020, paratë ne fjalë mund të shkëmbehen në zyrat e parave të gatshme të SNB në Bernë dhe Cyrih si dhe në agjencitë e SNB-së për një periudhë të pakufizuar kohe. Kështu ato vazhdojnë të ruajnë vlerën e tyre.

Sipas Bankës Kombëtare Zvicerane, kartëmonedhat do të vazhdojnë të pranohen deri më 30 tetor 2021 në arkat publike të Qeverisë Federale, si SBB ose sportelet e zyrave postare, përcjell albinfo.ch.