Holanda po rishikon sistemin e taksimit për kompanitë ndërkombëtare

Holanda, e konsideruar prej kohësh si në zemër të një sistemi në të cilin korporatat shumëkombëshe minimizojnë taksat e tyre, duke zhvendosur fitimet, ka sinjalizuar se është gati të mbështesë një propozim të Shteteve të Bashkuara që i jep fund praktikës.

“Kur amerikanët sjellin një propozim të tillë dhe marrin mbështetje nga vendet e mëdha si Gjermania dhe Franca, do të ishte për t’u habitur nëse një marrëveshje nuk arrihet,” tha Hans Vijlbrief, zëvendësministër i Financave në qeverinë e përkohshme Holandeze pas zgjedhjeve të muajit të kaluar.

“Konkurrenca tatimore po bëhet diçka e së kaluarës.”

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa qeveria e përkohshme nuk ka marrë ende një pozicion zyrtar, vërejtjet e Vijlbrief tregojnë se si po ndërtohet vrulli i ndryshimit dhe vendet e vogla do të luftojnë të rezistojnë. Holanda është kritikuar vazhdimisht për një regjim që ndihmon kompanitë ndërkombëtare, të ulin taksat e tyre në juridiksione të tjera.

Në një shembull në vitin 2019, Uber Technologies Inc. me qendër në San Francisko iu përgjigj një goditje evropiane ndaj ‘parajsave të taksave’ off shore, duke krijuar një zbritje hollandeze prej 6.1 miliard dollarë, që e ndihmoi atë të zvogëlojë një pjesë të faturës së saj globale, për vitet që vijnë.

Rrjeti i Drejtësisë Tatimore këtë vit etiketoi vendin ‘strehën e katërt më të madhe të taksave në botë’, pas Ishujve të Virgjër Britanikë, Ishujt Kajman dhe Bermuda.

Administrata e Presidentit të SHBA Joe Biden ka propozuar luftë ndaj strategjive të tilla për uljen e taksave, me një normë minimale globale të taksave prej 21% dhe një sistem që siguron që 100 apo më shumë ndërmarrjet më të mëdha në botë, të paguajnë më shumë në vendet ku ata aktualisht bëjnë biznes.