Komunat kërkojnë nga Qeveria bashkëpunim më korrekt

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka kërkuar një bashkëpunim më korrekt nga ana e Qeverisë në raport me komunat sa i përket luftës së përbashkët ndaj COVID-19.

Në emisionin Sot në KTV, Ibrahimi ka thënë se të mërkurën bordi i AKK-së do të mblidhet me Këshillin e kryetarëve të komunave për të diskutuar për veprimet rreth masave anti-COVID, për efektet e atyre që përfundojnë më 18 prill. Ai ka paralajmëruar se AKK-ja do të dalë me rekomandime e sugjerime se çka duhet të bëhet pas kësaj date, kur të përfundojnë masat e vendosura nga Qeveria Kurti.

Për masat e vendosura javën e shkuar, Ibrahimi ka thënë se AKK-ja s’ka marrë ftesë, por veç informatë për takim.

Reklama e sponzorizuar

“Si sekretariat s’e kemi pa të arsyeshme sepse s’kemi qenë direkt të ftuar. S’di a ka qenë lëshim, por drejtpërdrejt s’ishim të ftuar. Ka qenë i ftuar të shtunën në mbrëmje, për në orën 10:00 të dielën. Në atë takim ka qenë një anëtar i bordit tonë dhe ka treguar se kanë qenë vetëm 6 kryetarë komunash. Shumica e tyre s’i kanë përkrahur masat me argumente të shumta. Vendimet duhet të merren në bashkëbisedim”, ka thënë ai. “Këto masa s’do të ishin ndërmarrë po të varej nga ne. Një javë para se të merreshin këto masa, kemi pas takim me ministrin Vitia. Është përmendur vetëm monitorimi më strikt i masave të atëhershme”.

Ai është shprehur i bindur se numri i rasteve të reja do të vazhdojë të bjerë, teksa ka thënë se nga komunat kanë marrë përgjigje se aktualisht situata është e menaxhueshme.

“Shpresojmë për bashkëpunim korrekt. Ka qenë i ndërtuar një lloj mekanizmi i konsultimit ndërinstitucional në të kaluarën. Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kur ishte ministër në të kaluarën ishte krijuar komiteti ndërinstitucional anti-COVID. Merrnim pjesë edhe ne. Nuk është ftuar mbledhja para se të merren masat. Është ftuar takimi i kryetarëve të shtunën për të dielën, e masat janë marrë të hënën. Ndoshta ka pasur nevojë për konsultim më gjithëpërfshirës. Është vënë re që s’kanë qenë shumica e kryetarëve. Kam shpresuar se vendimmarrja mund të shtyhet deri në konsultim gjithëpërfshirës. S’po flasim veç për situatën me COVID, por komunat gjithmonë kanë qenë bashkëpunuese. Gjithmonë kanë qenë të hapura e korrekte”, ka thënë më tej ai.

Javën e shkuar, Qeveria Kurti vendosi për mbyllje të pjesshme për të luftuar pandeminë. U vendos që gastronomia të funksionojë vetëm me shërbimin “merr me vete”, ndërsa janë mbyllur edhe shkollat.