Piktura që për pak u shit për 1500 euro mund të vlejë 50 milionë

93

Para se të tërhiqej nga shitja, malli me numrin 229, një pikturë e vogël me ngjyra vaji, plot ndriçim, me Krishtin e fshikulluar që i atribuohet qarkut të artistit spanjoll të shekullit të 17-të José de Ribera, ishte nisur të shkonte në Madrid me një çmim të parë prej 1500 eurosh.

Megjithëkëtë, një qëmtim më për së afërmi ka ngritur dyshime se kurorëzimi në gjemba mund të jetë fare mirë një tjetër vepër e vlershme e mjeshtrit italian Michelangelo Merisi da Caravaggio, duke bërë që Qeveria spanjolle të vendosë ndalimin e eksportit të pikturës.

Kanavaca, me përmasa 111 me 86 centimetra, tash po studiohet nga ekspertët për të përcaktuar autorësinë e saj. Atribuimi i gabuar mund të jetë i kuptueshëm: Ribera, djalë i një këpucëtari, studioi në Romë dhe ishte një pasues i shquar i Caravaggios dhe admirues i përdorimit të tij të chiaroscuro, përdorimi i kontrasteve të forta mes të ndritshmes dhe të errëtës.

Ministrja spanjolle e Kulturës ka thënë se ka vepruar më të shpejtë për të vendosur një ndalim eksporti për pikturën pasi të enjten pranuan një thirrje nga ekspertët në Prado. Specialistët e muzeut kanë thënë se kishte “dëshmi të mjaftueshme stilistike dhe dokumentare” për të sugjeruar se mund të jetë një Caravaggio origjinale.

Ministria është ujdisur për ndalimin gjatë një takimi të ngutshëm të mërkurën dhe e ka njoftuar shtëpinë e ankandeve “Ansorena” që ta tërheqë pikturën nga mbrëmja e ankandit që do të mbahej të enjten.

“Duke pasur parasysh shpejtësinë e gjithë kësaj që ndodhi, ne tani kemi nevojë për një studim më të plotë teknik dhe shkencor të kësaj pikture”, ka thënë një burim brenda ministrisë. “Duhet të ketë një debat akademik mbi atë nëse atribuimi për Caravaggion është i ngjashëm dhe i pranuar nga komuniteti shkencor”.

Disa veçse janë të bindur. Deputeti dhe kritiku italian i artit, Vittorio Sgarbi, ka thënë se ai e njohu pikturën si Caravaggio muajin e kaluar pasi një mik artist dhe profesor i historisë së artit ia tregoi atij pikturën.

“E shoh atë dhe menjëherë e kuptoj që është vepër e Caravaggios dhe mendoj që me ndihmën e financimit mund ta kthej sërish në Itali”, ka thënë Sgarbi për mediat italiane. “Çmimi i saj mund të jetë rreth 100-150 milionë euro nëse e shisni privatisht, dhe 50 milionë euro nëse ia shisni një muzeu si ‘Prado’”.

Edhe Maria Cristina Terzaghi, profesoreshë e historisë së artit në Universitetin e Romës dhe eksperte e Caravaggios, ka thënë se beson që piktura të jetë bërë nga një italian.

“Është ai”, ka thënë ajo. “Kompozimi i së kuqes në pelerinën e purpurtë që mbulon Krishtin është i njëjtë me pikturën e Salomit me kryet e Gjon Pagëzuesit në pallatin mbretëror në Madrid”.

Terzaghi ka thënë se vepra i “ngjan fort” pikturës që Caravaggio bëri gjatë pjesës së parë të qëndrimit në Napoli.

Por jo gjithsecili pajtohet me këtë. “Nuk është e Caravaggios”, ka thënë Nicola Spinosa, një prej studiuesve më të mirë të pikturës italiane të shekullit të 17-të. “Sipas mendimit tim piktura është një vepër e cilësisë së lartë karavageske”.

Në “Prado”, ku u njoftuan për çështjen të hënën, ka thënë se asnjë prej ekspertëve të saj nuk qe në gjendje të qëmtonte pikturën për shkak se ajo u tërhoq prej ankandit. Por është e mundur që specialistët e muzeut të thirren nëse qeveria rajonale e Madridit vendos ta shpallë veprën si njësi të trashëgimisë kulturore, që do të fuqizonte mbrojtjen e saj ligjore kundër shitjes.

Image
“Kurorëzimi i gjembave” i përngjan fort një pikture të Caravaggios të realizuar gjatë qëndrimit të tij në Napoli, thotë një ekspert (Foto: Ansorena)

Një zëdhënës për Ansorenan ka thënë: “Ekspertë të ndryshëm po e studiojnë pikturën për të përcaktuar kush e pikturoi atë, por nuk kam më shumë informacion. Në çdo rast, piktura është vendosur në ndalim eksporti dhe nuk mund të largohet nga Spanja”.

Piktura nuk është e vetmja vepër e mundshme e Caravaggios që po kthehet gjatë viteve të fundit. Më 2014, një pikturë e menduar si kryevepër e humbur e një artisti italian u gjet në një dyshek të vjetruar në parafingon e një shtëpie në qytetin francez të Tulluzit. Pesë vjet më vonë ajo u ble nga një koleksionist i huaj para se të vihej në ankand.

Eksperti i artit Eric Turquin – që e identifikoi pikturën që paraqet prerjen e kokës së gjeneralit Holofernes nga Judithi – ka thënë se ishte në vlerë prej 100 deri më 150 milionë euro, ani se specialistë të ndryshëm italianë kishin dyshime për kanavacën.

Marrë nga “The Guardian”.