Bankieri i guximshëm i Ankarasë

Naci Agbal përpiqet të rivendosë disiplinën monetare në Turqi. Tregjet nuk janë të sigurt për sa kohë do të qëndrojë në post shefi i Bankës Qendrore

Naci Agbal meriton lëvdata. Në vetëm disa muaj si guvernator i Bankës Qendrore të Turqisë, ai ka rigjallëruar monedhën e vendit, ka rritur reputacionin e bankës dhe me politikat e duhura, ka rimbushur arkat e saj, shkruan The Economist.

Viti 2020 ishte i tmerrshëm për monedhën turke lira, e cila humbi gati 20% të vlerës së saj kundrejt dollarit. Nga valutat e tregut në zhvillim, vetëm Peso argjentinase dhe Reali brazilian patën performancë më të keqe. Ky vit, deri tani, ka qenë mjaft i keq, deri në fund të shkurtit, kur një rritje në yield-et e thesarit, një paralajmërues i mundshëm i kostove më të larta të huamarrjes në Amerikë, nxiti një shitje të aseteve turke.

Reklama e sponzorizuar

Zoti Agbal ka gjetur kurën e duhur. Kur ai mori postin nëntorin e kaluar, ish-ministri i Financave trashëgoi një krizë të monedhës dhe një Bankë Qendrore që kishte humbur rreth 130 miliardë dollarë në rezervat e huaja, në një përpjekje të dështuar për të mbrojtur monedhën vendase lira. Që atëherë, ai i ka rritur normat e interesit me një total prej 675 pikësh, duke u zotuar të rindërtojë rezervat e bankës dhe të përmirësojë komunikimin me tregjet financiare në Turqi dhe jashtë.

“Ai ndoqi një kornizë më të parashikueshme dhe transparente, e cila e ndihmoi të menaxhonte pritshmëritë”, thotë Hakan Kara, ish-kryeekonomisti i bankës. “Banka Qendrore ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke rifituar një pjesë të besueshmërisë së saj”, thotë Piotr Matys i Rabobank, firmë holandeze e shërbimeve financiare.

Por gjërat nuk do të jenë të lehta për zotin Agbal. Burimet e kredive që e ndihmuan Turqinë të përballej me pandeminë (ekonomia u rrit me 1.8% në vitin 2020, duke sfiduar shumicën e parashikimeve), gjithashtu ushtruan presion mbi monedhën e Lirës dhe çmimet. Inflacioni në Turqi është duke u rritur për më shumë se një vit. Në shkurt, arriti në 15.6%. Tani po parashikohet një tjetër rritje e normës së interesit.

Zoti Agbal thotë se do ta mbajë politikën të shtrënguar për të ruajtur nën kontroll inflacionin, të cilin ai dëshiron ta ulë në 5% në më pak se tre vjet. Por nuk është e sigurt nëse do ta arrijë këtë, apo edhe nëse do të qëndrojë në postin e tij. Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili premtoi se do t’i jepte zotit Agbal një dorë të lirë kur të merrte postin, duket se deri tani e ka mbajtur fjalën. Por guvernatori vazhdon të shërbejë në mëshirën e presidentit.

Turqia nuk ka pse të mbajë zgjedhje të përgjithshme deri në vitin 2023. Por ka zëra që po kërkojnë një votim të parakohshëm. Sa më shumë që rriten këto zëra, aq më shumë presion do të hasë zoti Agbal për të shkëmbyer disiplinën monetare me rritjen ekonomike. Zoti Erdogan tashmë ka sinjalizuar shqetësimin e tij në lidhje me rritjen e fundit të normës. Presidenti i Turqisë shkarkoi dy prej paraardhësve të zotit Agbal në më pak se dy vjet. Nëse e ardhmja e tij politike është në rrezik, ai mund të mos hezitojë të heqë qafe një të tretë.

Po aq shqetësues është Berat Albayrak, i cili pasoi zotin Agbal si ministër i Financave në vitin 2018 dhe dha dorëheqjen në protestë kur rivali i tij mori punën në Bankën Qendrore. Zoti Albayrak, i cili është martuar me një nga vajzat e zotit Erdogan, i cili dikur mbahej si njeriu i dytë më i fuqishëm në Turqi, nuk ka dalë në publik që nga dorëheqja.

Por mund të jetë duke planifikuar një rikthim. Një shenjë e fundit erdhi në fund të shkurtit, kur zoti Erdogan mbrojti publikisht punën e kryer nga dhëndri i tij dhe vendimin për të përdorur aq shumë rezerva të huaja të Bankës Qendrore gjatë mandatit të tij. Tregjet e interpretuan këtë si një shenjë që zoti Albayrak mund të rikthehej në politikë. Lira pësoi një goditje të lehtë dhe ra me 2% në një ditë.