Institucionet më të rëndësishme të vendit jashtë llupës së auditorëve të shtetit

0
77

Disa nga institucionet më të rëndësishme të vendit nuk janë audituar asnjëherë nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), Trusti Pensional, Radio Televizioni i Kosovës (RTK), miniera e Trepçës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) si dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), janë disa nga institucionet me përgjegjësi publike, në të cilat ende asnjëherë nuk ka arritur dora e Zyrës Kombëtare të Auditimit, i cili është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në vend.

Ndonëse bëjnë pjesë te disa nga organizatat më të rëndësishme buxhetore në vend, që ZKA-ja automatikisht ka të drejtë t’i kontrollojë dhe t’u kërkojë llogari, pengesat ligjore të vëna nga vet këto institucione e pamundësojnë auditimin shtetëror nga ZKA-ja, përcjell Buletini Ekonomik.

Saranda Husaj Baraliu, Drejtoreshë e departamentit për Komunikim në ZKA, tha për Buletinin Ekonomik se auditimi i institucioneve në fjalë nuk kryhet nga ZKA-ja, për shkak se kështu është paraparë me ligjet e tyre organike.

“Përveç këtyre institucioneve ZKA-ja  për arsye të njëjtë nuk e auditon as Trepçën e as AKI-në”, tha shkurtimisht Husaj Baraliu.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, nga Trusti Pensional i Kosovës kanë shpjeguar se institucioni i tyre është audituar çdo vit por vetëm nga auditorët e jashtëm, që  prej themelimit të këtij institucioni, pasi kështu është kërkuar me legjislacionin në fuqi.

Jeton Demi, menaxher i Marrëdhënieve me Publikun në Trust, tha se Zyra Kombëtare e Auditimit nuk ka kryer asnjëherë auditim të këtij institucionit, pasi ZKA-ja kryen auditime për njësitë buxhetore dhe rrjedhimisht Trusti nuk financohet nga buxheti i Kosovës.

“Trustit, çështja e auditimit të jashtëm, i rregullohet me Ligjin për Fondet Pensionale në Kosovë (Nr 04/L-101)”, theksoi Demi.

Nga Trusti tregojnë se kompania që e ka kryer auditimin e pasqyrave për vitin 2019 ka qenë “Grant Thornton LLC”, ndërsa kompanitë e tjera që e kanë kryer auditimin e Trustit për vitet paraprake, bashkë me opinionet e tyre, mund të gjenden të publikuara në uebfaqen e tyre. Sipas tyre, të gjitha raportet e audituara i janë prezantuar Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës dhe të njëjtat janë miratuar në Kuvend.

Megjithatë, Trusti thotë se ata kanë shprehur gatishmërinë edhe më herët për mundësinë e bashkëpunimit më ZKA-në për audtimin e këtij institucioni në të ardhmen, nëse ndodhin ndryshimet e nevojshme ligjore.

Ndërkohë nga Banka Qendrore e Kosovës dhe miniera e Trepçës ende nuk kanë kthyer përgjigje edhe pas 5 ditësh. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/