Bizneset kundër mbylljes: Pasojat do të jenë të rënda për ekonominë e Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka marr vendim për vendosjen e masave të reja kundër COVID-19, duke ndaluar veprimtarinë e qendrave tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë marketet ushqimore, farmacitë si dhe shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri më datë 18 prill.

Me masat e reja, po ashtu ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve.

Vendimi thotë që shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”, ndërsa marketet e mbyllura ushqimore obligohen që të përcaktojnë numrin maksimal të konsumatorëve në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 metra katrorë.

Reklama e sponzorizuar

“Ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë nga data 7 prill deri më datë 18 prill, ndërsa në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Obligohen marketet e mbyllura ushqimore që të përcaktojnë numrin maksimal të konsumatorëve në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 metra katrorë. Marketet obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të konsumatorëve të lejuar në të njëjtën kohë”, thuhet në vendim, përcjell Telegrafi.

Pas vendosjes së këtyre masave, i menjëhershëm ka qenë reagimi i bizneseve.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka thënë se nuk e përjashtojnë mundësinë që të dalin në protestë nëse nuk arrijnë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.

Kllokoqi përmes një reagimi në Facebook, shprehet se dëmet gjatë pandemisë po i shkakton politika ndërkaq faturën po e paguan gastronomia.

“Politika shkakton dëm, gastronomia paguan faturën. Edhe njëherë gastronomia kurban i situatës! Edhe njëherë po ndëshkohemi, 11 ditë. Pas 11 ditë ne do të hapemi. Me ose pa leje të qeverisë ne do të hapemi. Për këto 11 ditë do të kërkojmë subvencionime të pagave, të qirave dhe grante për biznese, do të kërkojmë strategji për të ardhmen tonë. Më mirë është të funksionoj gastronomia e të qarkulloj paraja, e me këto para të investohet në shëndetësi, të sigurohen shtretër e hapësira të mjaftueshme për të gjithë të prekurit me COVID-19 si rezultat i fushatave parazgjedhore, e të sigurohen vaksina, se të sanksionohen bizneset”, thuhet në reagimin e Kllokoqit.

Kurse, sipas kryetarit të bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi nga kjo mbyllje bizneset do të dëmtohen rëndë dhe se pasojat do të janë të rëndë për ekonominë e vendit.

Krasniqi i ka rekomanduar Qeverisë së vendit që para se të merren çfarëdo masa duhet të bëjë analiza për efektet dhe kundërefektet që do të vijnë nga vendimet meqë thekson se dëmet që do të krijohen do të kenë pasoja për shumë vjet.

“Ky vendim i shpejtë është vendim i dëmshëm për bizneset dhe qeveria e cila tashmë është konsoliduar dhe është në përbërje të plotë do të duhet që me urgjencë të ketë takime, dhe të bëjë analiza për efektet dhe kundër efektet që do t’i merr një vendim, në këtë rast gastronomisë për mbyllje dhe përkrahje financiare paraprake dhe pastaj vendim për mbyllje. Këto vendime që janë marrë më herët në këtë mënyrë e kanë dëmtuar shumë biznesin”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa nënkryetari i Odës, Hotilerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), Skënder Thaçi ka paralajmëruar protesta pas datës 18 prill, nëse nuk bëhet lejimi i dasmave.

Thaçi është shprehur i indinjuar me vendimet e fundit të Qeverisë ndaj mbylljes totale për 12 ditë.

“Është një shqetësim i madh, institucionet tona po na ngufasin, kjo është formë arbitrare, ne jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe duhet të na respektojnë dhe të mos marrin vendime arbitrare. Para dy javësh kemi dalë me një komunikatë ku kemi kërkuar hapjen e dasmave nga mesi i prillit, dhe ja tani mbyllja po ndodhë dhe kemi mbledhjen e kryesisë dhe hapi i parë do të jetë ky nëse Qeveria nuk i merr masat e hapjes për ta çliruar sallat, dasmat nga kjo ngufatje do të vihemi në këmbë”, është shprehur Thaçi.

Sipas vendimit bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç: gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit dhe çiklizmit dhe gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.

Po ashtu, ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona siç janë mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe, e të ngjashme.