Kundërshtohet mbyllja totale, Arben Vitisë i kërkohet t’i rishqyrtojë masat

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pasur sot një mbledhje virtuale me kryetarët e komunave të Kosovës. Megjithëse nuk kanë marrë pjesë shumë kryetarë komunash, duket se plani për mbyllje i prezantuar nga Vitia, nuk ka marrë pëlqimin e tyre, shkruan Gazeta Express.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka deklaruar për Express se nuk është pajtuar me masat e paralajmëruara nga ministri Vitia.

Latifi tha se në takim nuk kanë marrë pjesë shnumë kryetarë komunash.

Reklama e sponzorizuar

“Pak kryetarë kanë marrë pjesë. Mund të them se ishim katër kryetarë dhe disa nënkryetarë të komunave. Ne i kemi gritur shqetësimet tona, nuk rekomandojmë mbyllje totale. Kam kërkuar që të respektohen masat aktuale me rigorozitet, të rritet nr i aktiviteteve inspektuese, të rritet përkushtimi i policisë, të rritet edhe përkrahja me barna esenciale sepse ka ngecje serioze me furnizim. Nuk është mirë të ketë kufizime sepse është koha e të mbjellave, edhe gastronomia është e lidhur me bujqësinë. Jo kuzifime të reja sepse ekziston rreziku real i humbjeve më të mëdha”, ka deklaruar Latifi.

Latifi tha se mbetet prioritet shëndeti publik, por sipas tij duhet të ketë mbikëqyrje të madhe të masave dhe jo masa të reja.

“E kemi prioritet shëndetin publik, por jo të ndërmerren masa të reja. Të ketë mbikëqyrje të shtuar. Ne po i kryejmë detyrat tona, por nuk është praktikë e mirë pa një koordinim me komunat të ndërmerren masa”, deklaroi Latifi.

Latifi tha se ministri Vitia ka deklaruar në takim se do të ndërmerren parasysh shqetësimet e kryetarëve për masat e reja.

“Ministri e paraqiti një tablo të gjendjes momentale epidemiologjike, pastaj rekomandimet dhe informacionet nga IKSHPK, por edhe ne i paraqitëm shqetësimet për komunën tonë. Na thanë që do ta bëjnë një draft ku do t’i marrin në konsideratë edhe shqetësimet tona. Sipas ministrit Vita nesër do ta paraqesë draftin te të gjithë kryetarët e komunave. Ai thotë se do t’i marrë edhe sugjerimet, por sipas tij jemi në presin të IKSHPK’së si institucion që e vlerëson më së miri situatën. Nuk duhet të ndërmerren veprime të ngutshme pa konsultim me kryetarët e komunave por edhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës. Ministria e Shëndetësisë duhet të ketë më shumë konsultime dhe debate me komunat. Nuk jemi për mbyllje totale, duhet të kujdesemi të kemi parasysh edhe rrethanat tjera. Sepse humbjet i kemi të mëdha. Duhet të jemi të fokusuar në zbatimin e masave e jo në shtrengim të tyre”, ka deklaruar Latifi.

Kundër shtrengimit të masave është edhe Komuna e Gjilanit. Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli, ka deklaruar për Express se në takimin me ministrin Vitia ka kundërshtuar mbylljen totale.

“E kemi kundërshtuar edhe mbylljen totale. I kemi aprovuar disa masa, sic janë kontrollimi më i rreptë nëpër hyrje-dalje, por në asnjë mënyrë mbylljen e gastronomisë dhe bizneseve tjera sepse pandemia ka shkaktu dëme të mëdha. Ne ia sqaruam se nuk është mirë të mbyllen bizneset, ka thënë se me gastronomët është shikuar mundësia e subvencionimit, por në emër të gastronomëve kam thënë që s’jemi dakord me mbyllje”, ka deklaruar Ismajli.

Ai tha se ks shprehur shqetësimin për gjobat e shqiptuara nga Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ndaj bizneseve.

“Kemi shprehur edhe shqetësimin për gjobat që po shqiptohen janë të mëdha dhe të papërballueshme”, deklaroi Ismajli.

Edhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kundërshtuar mbylljen totale. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, ministri Vitia nuk i ka konsultuar për masat e reja, vetëm i ka njoftuar për ato.

“Ky vendim eshte vendim arbitrar, i njëanshëm, dhe jo i pranueshem për Gastronominë e Kosovës e cila çdo ditë e më shumë po rrëzohet për toke. Ne kundershtojme fuqishem kete vendim dhe do të vazhdojme të kundershtojme edhe më tutje çdo vendim që mirret njëanshem pa konsulltim”, ka shkruar Kllokoqi në Facebook.

Ndërkaq, masat e propozuara deri më tani janë mbyllja e lokaleve të gastronomisë, qendrave tregtare, palestrave dhe shkollat, ndërkaq është bërë e ditur se kjo mbyllje do të mbëhet nga data 6 deri më 18 prill.