Planifikohet ndërtimi i nënstacionit të ri në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike në Ferizaj

Me 31 mars 2021, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani nënshkroi kontratën me përfaqësuesen e kompanisë ABB Power Grids Zagreb, Nina Dusper Sushiç për implementimin e projektit për ndërtim të Nënstacionit të ri 110/35/10(20) kV Ferizaj 3.

Sipas njoftimit, ky investim kapital i KOSTT në vlerë prej mbi 4.7 milionë euro përveç ndërtimit të nënstacionit të ri në Komunën e Ferizajt parasheh edhe instalimin e transformatorit energjetik me fuqi prej 40 MVA (mega volt amper) në këtë nënstacion.

“Implementimi i projektit do të ketë ndikim të theksuar në rritjen e sigurisë dhe të kualitetit të furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmetimit për rajonin e Komunës së Ferizajt duke mundësuar kushte për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik të komunës me rrethinë”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Me rastin e nënshkrimit të kontratës, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT Mustafë Hasani ka theksuar se “Zhvillimi i vazhdueshëm i Sistemit të Transmetimit të Kosovës është prioritet i KOSTT dhe ne jemi të përkushtuar që përmes planifikimit zhvillimor afatgjatë dhe investimeve adekuate të ofrojmë shërbime cilësore për shfrytëzuesit e sistemit duke kontribuar kështu në zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë si shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik dhe social në vend.”

Nga momenti i fillimit të punimeve, implementimi i projektit parashihet që të përfundojë në afat prej 24 muajsh.