AKP-ja shet dhe jep me qira disa asete

Agjencia Kosovare e Privatizimit-AKP

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është duke e mbajtur një mbledhje, ku janë planifikuar një numër vendimesh për shitjen e aseteve me negocim direkt, si dhe qiradhënie të aseteve të rëndësishme.

Në agjendën e siguruar nga KOHA është planifikuar shitja e verarisë së Rahovecit, “AgroKosova Holding”, ndërsa do të paraqiten edhe disa propozime tjera për shitje e qiradhënie.

Këto vendime merren pak ditë pas krijimit të Qeverisë Kurti 2. Kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar në programin e tij shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe bartjen e saj në një agjenci brenda Qeverisë. Po ashtu kishte kërkuar më 23 shkurt nga Bordi i AKP-së që të ndalojë privatizimet.

Reklama e sponzorizuar

“Jam informuar që bordi i AKP-së krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e lartpërmendura. Thirrjet e bordit në gjoja pavarësinë e institucionit dhe në nevojën që paska vendi për privatizim më të shpejtë në mënyrë që të gjenerohen të hyra shtesë për buxhetin e shtetit, janë konfirmim i mëtejmë i brengës sonë për keqpërdorime në këtë institucion. E shoh shumë të rëndësishme që publikisht t’i drejtohem bordit të AKP-së me kërkesë që të mos sfidojë mekanizmat institucional dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit apo likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi. Ju bëj me dije se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë sonë vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrjedhimisht, brenda kësaj kornize do të trajtohet edhe sfidimi eventual i bordit të AKP-së në raport me qeverinë dhe kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”, kishte shkruar Kurti në një status në Facebook.

E Bordi i Drejtorëve të AKP-së kishte reaguar, duke thënë se më 19 shkurt të këtij viti ka udhëzuar menaxhmentin e AKP-së që të mos vazhdojë me valët e shitjes deri në krijimin e institucioneve të reja.