Çka është Skema e Punësimit të Garantuar në programin e VV-së?

euro
Monedha Euro

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit, me shumicë edhe në Kuvendin e Kosovës, në programin e saj politik ndër prioritetet e para ka futur edhe Skemën e Punësimit të Garantuar, që do të përfshijë moshat prej 16 deri në 18 vjeç.

Sipas këtij programi e kësaj skeme, të rinjtë kosovarë do të kenë mundësinë e përfitimit të pagës dhe një vendi të punës të garantuar nga vet shteti deri në një vit të plotë, përcjell Buletini Ekonomik.

Ndërkohë, për të rinjtë e gjithë vendit që dëshirojnë të orientohen nga ndërmarrësia, kjo parti ka paraparë të vë në dispozicion një shumë deri në 2 mijë grante në vit, që do të përfszhinte një vlerë totale prej 20 milionë eurosh, e që do të destinohej për qira dhe pajisje të nevojshme për ndërmarrësit e rinj.

Reklama e sponzorizuar

Çdo vit, LVV-ja ka paraparë që 2 mijë grupe entuziastësh të rinj t’i kenë kushtet për t’i avancuar idetë e tyre.

Në planprogramin ekonomik të Vetëvendosjes, thuhet se kjo parti ka paraparë edhe krijimin e “Grantit të katërt” për komunat në vend, që do të jetë granti për investime kapitale.

Sipas kësaj skeme, brenda katër viteve të ardhshme, komunave do t’u alokohen mbi 600 milionë euro dhe qeverisjet lokale do të vendosin vetë për alokimin e këtyre shumave për projekte të ndryshme kapitale. /Buletini Ekonomik/