Dënohen 19 biznese për mosrespektim të masave antiCovid-19

Me qëllim të zbatimit të masave anti Covid-19, mbrëmë, inspektorët sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bashkë me Policinë e Kosovës, gjatë inspektimeve në lokalet e gastronomisë për mosrespektim të masave Covid-19, kanë shqiptuar 19 gjoba juridike, si dhe kanë larguar klientët në 24 lokale.

Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi thotë se kanë intensifikuar kontrollet për mbikëqyrje të zbatimit të masave Covid-19, ku vetëm mbrëmë gjatë natës së premte në regjion të Prishtinës, gjatë inspektimeve në lokalet e gastronomisë për mosrespektim të masave Covid-19, janë shqiptuar 19 gjoba juridike dhe janë zbrazur nga klientët 24 lokale.

“Duke parë se numri i të infektuarve është rritur ditëve të fundit, do të ketë rigorozitet në kontrolle. Masat duhet të respektohen, në të kundërtën nuk do të bëhen tolerime. Secili shkelës do të marrë ndëshkime. Shëndeti i popullit është mbi gjithçka”, thekson Thaçi për KosovaPress.

Reklama e sponzorizuar

Ai pohon se si organe mbikëqyrëse ligjëzbatuese do të punojnë sipas mandatit për të ndikuar në ulje të numrit të të prekurve nga Covid-19.