Ndërtimi i Emergjencës së re: MSH-ja ia anuloi kontratën kompanisë, por s’ia konfiskoi 800 mijë euro

Janë bërë së paku tri padi në gjykata, për tre tenderë në lidhje me punimet për ndërtimin e objektit të Emergjencës së QKUK-së, që ka nisur para 5 vjetëve.

Projekti fillestar që kapte vlerën 8 milionë euro është dashur të përfundonte në vitin 2019, sipas dinamikës së punës.

Pak para së zyrtarisht të kalonte ky afat, kompania që merrej me ndërtimin e këtij objekti kishte thënë se pasi ka fituar tenderin e kishin studiuar projektin edhe e kishin kuptuar së “nuk mund të përfundohej në bazë të standardeve të kërkuara pa u bërë revidimi”.

Reklama e sponzorizuar

Ministria e Shëndetësisë asokohe kishte bërë kërkesë që kësaj kompanie t’i ndaleshin 800 mijë euro në emër të sigurimit të tenderit.

Për këtë vendim, MSh-në e kishte paditur kompania “Al Trade”, por siç ka mësuar KOHA, rastin e ka humbur në të dyja shkallët e gjykatës.

Ndërkohë, një padi tjetër kishte bërë kjo kompani për dëmin e pretenduar që Ministria e Shëndetësisë ia ka bërë kësaj kompanie.

Padi për këtë projekt kishin bërë edhe disa kompani të tjera me pretendimet se Ministria e Shëndetësisë kishte shkelur Ligjin e Prokurimit Publik kur e ka shpallur fituese “Al Trade” për këtë projekt.

Siç ka mësuar KOHA, në korrikun e vitit 2020, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar së kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për konfiskimin e 800 mijë euro të kësaj kompani në emër të sigurimit të tenderit ishte e ligjshme. MSh-ja në këtë periudhë kishte bërë kërkesë në Avokaturën Shtetërore që përmes përmbarimit të tërhiqeshin këto para, por një gjë e tillë nuk është bërë ende.

Në Ministrinë e Drejtësisë kanë thënë se kjo lëndë ende s’ka përfunduar.

“Lidhur me pyetjet tuaja rreth kontestit “Al Trade” – MSH, ju informojmë se nuk është bërë tërheqja e siguracionit prej 800,000.00€ kompanisë “Al Trade”. Për aq sa kemi informacion nuk ka rast tjetër në Gjykatë që lidhet me të njëjtin tender. Gjithashtu ju njoftojmë se nga fillimi i procedurës gjyqësore ky rast është përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore, ndërsa lënda është me ankese në Gjykatë të Apelit, dhe pritet vendimi i shkallës së dytë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë dhënë arsye të qarta se pse nuk është tërhequr vlera prej 800 mijë eurosh ani pse me ligj u takon një gjë e tillë.

“Ministria e Shëndetësisë e ka njoftuar operatorin ekonomik me të cilin ka pasur kontratë për ndërtimin e Klinikës së re Emergjente për shkëputje të kontratës për shkak të vonesave dhe mospërmbushjes së obligimeve sipas kontratës së nënshkruar midis tyre dhe MSh-së. Gjithashtu, MSh kishte parashtruar kërkesën tek autoritetet përkatëse për konfiskimin e sigurimit të ekzekutimit (të operatorit ekonomik) në vlerë prej 810623 eurove. Kompania Sigal në këtë rast ka qene autoritet kompetent për ekzekutimin e tërheqjes së sigurimit, dhe mjetet e tërhequra t’i ktheje në buxhetin e Kosovës. MSh kishte iniciuar edhe kërkesën për padi në Avokaturën Shtetërore për kompensimin e dëmit që ka shkaktuar operatori ekonomik me mos përmbushjen e kontratës numër 206/15/008/511”, thuhet në përgjigjen e saj.

Një tjetër shkelje që mund t’i shkojë në favor kompanisë është bërë në procesin gjyqësor kundër vendimit të MSh-së për ndërprerjen e kontratës.

Në shqyrtim gjyqësor KOHA ka mësuar së gjykata kishte kërkuar që të bëhej një ekspertizë për rastin në punishten e këtij objekti të kontestuar. Por, sipas burimeve të afërta me rastin inspektimi i ekspertit është bërë pa praninë e askujt nga MSh-ja, por vetëm nga pala paditëse.

Në shtator të vitit të kaluar ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj pati thënë që për dy muaj objekti i Emergjencës do të kthehej në spitalin për COVID 19. Tani që Zemaj është në javët e fundit si ministër, gjendja në këtë objekt është e njëjtë si ajo e para dy vjetësh./Koha.net/