Abrashi bëhet pishman: Pezulloi jashtëligjshëm sekretarin, e anulon vendimin

Pa u bërë 48 orë prej vendimit për pezullimin e sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, ministri në detyrë, Arban Abrashi, është bërë pishman.

Të premten është anuluar vendimi për pezullimin e Bytyqit.

Siç thuhet në vendim, anulimi bëhet “për shkak të çështjeve procedurale, duke u bazuar në nenin 53 dhe 58 të Ligjit për Procedurën Administrative të Përgjithshme”.

Reklama e sponzorizuar

Ndonëse vendimi është marrë nga Abrashi, ai është nënshkruar nga zëvendësi i tij.

Ditën kur Abrashi kishte marrë vendim për pezullimin e Bytyqit, ai kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarë Publikë, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2020.

Në nenin 48 të këtij ligji tregohet se si iniciohet procedura për pezullimin e nëpunësit civil. Inicimi mund të bëhet nga ministri, por vendimi merret nga Komisioni Disiplinor që sipas ligjit, në secilin rast, udhëhiqet nga ministri i Administratës Publike, që në këtë rast është Agim Veliu.

Brenda dy ditësh, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka shkarkuar dy herë sekretarin Izedin Bytyqi.

Të hënën në mëngjes, Abrashi largoi Bytyqin nga pozita dhe në vendin e tij e caktoi Zymer Abdullahun, një tjetër të zyrtar të kësaj ministrie.

Një vendim i nxjerrë nga ministri Agim Veliu ka anuluar vendimin me të cilin Zymer Avdullahu është emëruar sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie, duke e konsideruar si akt administrativ të paligjshëm.

Pak para përfundimit të orarit të punës të mërkurën, Abrashi sërish e ka larguar nga pozita e sekretarit Bytyqin. Ai ishte pezulluar dhe ndaj tij është iniciuar masë disiplinore, por ky vendim u anulua të premten.

Bytyqi për herë të parë është emëruar sekretar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në kohën e qeverisë Kurti.

Atëkohë Ministria udhëhiqej pikërisht nga ministri Arban Abrashi.