Pas grevave dhe protestave të shumta, punëtorëve të Trepçës iu del paga për muajin janar

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka njoftuar dje se ka ndarë mjetet për pagën e muajit janar për punëtorët e kombinatit Trepça, të cilët qe disa ditë kanë mbajtur grevë.

Sipas MEA-së, punëtorët gjatë ditës së djeshme kanë marrë pagat e tyre.

“Procedurat e pagesës së mjeteve marrin pak kohë dhe sapo jemi njoftuar se tashmë janë kryer pagesat dhe punëtorët e Trepçës sot gjatë ditës pritet t’i marrin pagat e tyre. Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka ndihmuar Trepçën. Në nëntor të vitit të shkuar, Qeveria kishte ndarë 1.1 milion për këtë ndërmarrje”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Ndarja e këtyre mjeteve financiare vjen pasi punëtorët e Trepçës kishin hyrë në grevë për shkak të vonesës së pagës së muajit janar.

Gjithashtu, disa herë punëtorët e kombinatit Trepça kanë pasur vonesa në marrjen e pagave.

Edhe ditën e sotme minatorët e Trepçës dhe të Kishnicës kanë vazhduar grevën në kërkim të pagave për muajt janar dhe shkurt.

Gani Osmani nga Sindikata e Re e Trepçës ka treguar se kushtet e minatorëve janë përherë të vështira, por kërkesa aktuale e vetme është ajo për pagesën e pagave.

“Ne jemi duke pritur që të realizohet zotimi që ka dhënë Qeveria”, ka thënë ai teksa ka shtuar se të gjithë punëtorët janë në vendin e tyre të punës, por vetëm duke qëndruar.

Kombinati Trepça është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punëtorëve të kësaj ndërmarrje.