Mbi 25 mijë familje kosovare morën ndihma sociale vetëm në janar

Mbi 5 milionë e 404 mijë euro janë shpërndarë nga buxheti i shtetit vetëm gjatë muajit janarit të këtij viti në emër të ndihmave sociale për familjet skamnore në Kosovë.

E numri i familjeve që kanë përfituar nga kjo ndihmë gjatë janarit ishte 25 mijë e 678 familje me gjithsej 103 mijë e 303 anëtarë.

Komuna e cila për vite me radhë vazhdon të mbetet e para për nga numri më i madh i familjeve që janë të varura nga ndihmat sociale në vend është komuna e Mitrovicës, e cila këtë muaj ka pasur të regjistruara 2 mijë e 339 familje si raste sociale, me 9 mijë e 922 anëtarë, që përbëjnë 9.6% të totalit të numrit të anëtarëve përfitues nga kjo ndihmë në Kosovë. Shuma e mjeteve që është ndarë për këto familje të Mitrovicës ishte mbi 511 mijë euro apo 9.46% e shumës totale, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Pas Mitrovicës, rajoni i Prishtinës ka më së shumti familje nën asistencë sociale. Kjo komunë gjatë janarit ka pasur gjithsej 6 mijë e 109 familje në skemën e ndihmave sociale me 25 mijë e 246 anëtarë, dhe mjetet e shpërndara për ta ishin në shumën e 1 milionë e 304 mijë eurove.

Më pas vjen rajoni i Ferizajt me 3 mijë e 933 familje nën këtë skemë, me 16 mijë e 620 anëtarë familjesh. Për këto familje nga ky rajon janë shpërndarë 845 mijë e 995 euro. Peja po ashtu ka pasur 2 mijë e 666 familje në asistencë me gjithsej 10 mijë e 771 anëtarë, dhe me një shumë prej 564 mijë e 675 eurove të ndara për ta. Pastaj vjen rajoni i Prizrenit, Gjilanit dhe Gjakova me më së paku familje në Skemën e rasteve sociale.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës rreth “Numrit të përfituesve të Skemës së Ndihmës Sociale sipas komunave, moshës, gjinisë dhe nacionalitetit” të publikuar së fundmi, konstatohet se nga 25 mijë e 678 bartës të lëndës apo familjeve që ishin në muajin janar 2021 përfitues të Skemës së Ndihmës Sociale, 16 mijë e 947 bartës të lëndës apo 65.77% ishin meshkuj ndërsa 8 mijë e 821 bartës të lëndës apo 34.23% ishin femra.

Pra, në bazë të të dhënave nga raporti, numri i bartësve meshkuj është më i madh për 8 mijë e 126 bartës apo 31.54% në krahasim me numrin e bartësve femra.

Ndërsa sa i përket gjinisë së anëtarëve të familjes, ASK-ja konstaton se nga 103 mijë e 303 anëtarët e familjes përfitues, 50 mijë e 148 apo 48.54% ishin meshkuj ndërsa 53 mijë e 155 apo 51.46% ishin femra.

“Pra, tek anëtarët e familjes kemi një përfshirje më të madhe të femrave për 3.007 anëtarë apo 2.91% në krahasim me anëtarët meshkuj”, thuhet në raportin e ASK-së.

Në anën tjetër, numrin dhe përqindjen më të madhe të familjeve dhe anëtarëve të familjes, përfituese të ndihmës sociale, e përbëjnë familjet dhe banorët shqiptarë, me gjithsej 19 mijë e 553 familje apo 75.88% dhe me 81 mijë e 243 anëtarë të familjes apo 78.68%, pastaj vijnë familjet serbe me 2 mijë e 688 familje apo 10.43%. Pra, familjet jo shqiptare në Skemën e Ndihmës Sociale marrin pjesë me 6 mijë e 70 familje apo me 23.56%, 2 mijë e 688 apo 10.43% prej tyre familje serbe dhe 3 mijë e 382 apo 13.12% familje të komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.

“Nga gjithsej 103.303 anëtarët e familjeve në SNS, numrin dhe përqindjen më të madhe e përbëjnë grupmosha 19-65 vjeç me gjithsej 51.619 anëtarë apo 49.97%, ndërsa numrin dhe përqindjen më të vogël e përbëjnë grup-mosha mbi 65 vjeç me gjithsej 1.124 anëtarë apo 1.09%” thuhet më tutje në raport.

Ndryshe, Skema e Ndihmës Sociale është mbështetje dhe ofrim i ndihmës së përkohshme financiare për familjet që jetojnë në varfëri. Pagesa mujore e përfituesve të kësaj Skeme bëhet sipas numrit të anëtarëve të familjes, ku shuma minimale është gjashtëdhjetë (60) euro për familjet me një anëtar ndërsa shuma maksimale është njëqind e tetëdhjetë (180) euro, të cilën mund ta përfitojnë familjet me pesëmbëdhjetë (15) anëtarë. Gjithashtu ekziston edhe një shtesë e vogël prej pesë eurove për çdo fëmijë të moshës 0-18 vjeç. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/