Fillon procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik

Sot ka filluar zyrtarisht procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, ku të gjithë zyrtarët e lartë publik janë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“Me  qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Republikës së  Kosovës Nr. 01/51, për respektimin e masave të përgjithshme dhe specifike nga pandemia COVID-19, rekomandimeve  të  Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë do të behet nëpërmjet formës elektronike në email adresën akk.deklarimi@rks-gov.net, ndërsa  formularët e deklarimit të pasurisë duhet të dërgohen të nënshkruar dhe skanuar nga ana e subjekteve deklaruese”, thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu u theksua se Agjencia kundër Korrupsion ka dërguar njoftimin tek të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (zyrtarët kontaktues për deklarimin e pasurisë) që të bëjnë deklarimin e pasurisë sipas afateve kohore të përcaktuara me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave nga data 01 deri më 31 mars 2020.

Reklama e sponzorizuar

“Në njoftimin  dërguar në Institucionet publike, Agjencia Kundër Korrupsion ka rikujtuar gjithashtu se  mos- deklarimi i rregullt i pasurisë nga zyrtarët publik dhe  mosrespektimi i ligjit nr. 04/L-050, si dhe ligjit nr. 04/L-228  për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik, Agjencia kundër Korrupsionit do paraqesë kallëzim penal në pajtim me nenin 437 të Kodit Penal”.

Për informata më të detajuara rreth subjekteve deklaruese dhe listës e zyrtarëve të cilët janë të obliguar ta bëjnë  për deklarimin e pasurisë, ju lutemi, vizitoni ueb faqen zyrtare të AKK-së:  https://www.akk-ks.org/.